Seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën do të shqyrtohet raporti gjashtëmujor mbi punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), do të mbahet më 9 prill, është bërë e ditur në faqen e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për punën e UNMIK-ut më 9 prill në orën 16:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, transmeton Paparaci.
Shefi i ri i misionit të UNMIK-ut, Peter Due, për herë të parë do të paraqesë raportin mbi punën e Misionit. Ai ka marrë detyrën në janar të këtij viti.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara për herë të fundit e ka shqyrtuar raportin gjashtëmujor mbi punën e UNMIK-ut më 21 tetor të vitit të kaluar.
Kosovën në atë seancë e ka prezantuar Donika Gërvalla-Shfartz ndërsa në emër të Serbisë ka folur Marko Gjuriq, ministri i jashtëm serb.
Përfaqësuesit e anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në seancën e tetorit të vitit të kaluar në Nju Jork paraqitën qëndrimet e njohura, të ndryshme lidhur me gjendjen në Kosovë, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe punën e mëtejshme të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK)./Paparaci.com










