Këshilli i Prindërve të Kosovës nëpërmes një komunikate ka reaguar sot lidhur me apelin e SBASHK-ut drejtuar prindërve dhe nxënësve për grevën njëorëshe, e cila është paraparë për të mbahet të mërkurën.
Këshilli i Prindërve të Kosovës thekson se janë të vetëdijshëm për gjendjen e mësimdhënësve dhe për sakrificën e tyre të lartë në vitet e nëntëdhjeta për mbajtjen gjallë të arsimit shqip të Kosovës, por e kundërshton grevën si formë të zgjedhjes së problemeve.
Komunikata e plotë e Këshillit të Prindërve të Kosovës:
“Apeli i SBASHK-ut drejtuar prindërve dhe nxënësve të Kosovës për grevën një orëshe të paraparë për ditën e nesërme ka shqetësuar Këshillin e Prindërve të Kosovës, prindërit dhe nxënësit e Kosovës.
Këshilli i Prindërve të Kosovës është i njoftuar me kërkesat legjitime dhe marrëveshjet e arritura me organet e Qeverisë së Kosovës të cilat ende nuk janë realizuar.
Ne jemi të vetëdijshëm për gjendjen e mësimdhënësve dhe për sakrificën e tyre të lartë në vitet e nëntëdhjeta për mbajtjen gjallë të arsimit shqip të Kosovës dhe ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë qenë akter të këtyre viteve të vështira të arsimit shqip në Kosovë, andaj kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime dhe të drejta, por nuk është e drejta, por në anën tjetër kundërshtojmë grevën si formë e zgjedhjes së problemeve që kanë mësimdhënësit.
Nëpërmes kësaj komunikate për shtyp ne i bëjmë apel Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të marrin masat e nevojshme dhe të përmbushin obligimin e tyre ndaj mësimdhënësve.
Njëkohësisht apelojmë SBASHK-un dhe të gjithë mësimdhënësit që të jenë e matur dhe të kujdesshëm dhe të bëjnë përpjekje për prolongimin e kësaj greve të paralajmëruar ,në mënyrë që mos të krijohen barriera dhe paqartësi tek prindërit dhe nxënësit dhe mos të pësojnë ata që më së paku kanë faj në këtë proces, nxënësit e Kosovës.”