Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me konkursin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke e anuluar tërësisht procedurën e rekrutimit për pozitën “Ekspert Shqyrtues”. Vendimi i datës 04.12.2025, me numër A.nr.1831/2025, konstaton shkelje ligjore dhe parregullsi serioze në fazën e verifikimit paraprak të kandidatëve, shkruan Demokracia.com.
Këshilli konfirmon se njoftimi final i OSHP-së me protokoll 1405/2025, i shpallur më 06.10.2025, duhet të anulohet, ngase lista përfundimtare e kandidatëve të suksesshëm, në mesin e të cilëve ishin edhe asistentja ekzekutive e kryetarit të OSHP-së, Valbona Iballi, si dhe djali i një deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, Genc Dugolli është hartuar në kundërshtim me ligjin.
Sipas vendimit të KPMSHCK, kandidati ankimues ka pasur të drejtë, pasi OSHP-ja kishte pranuar kandidatë që “nuk i kishin plotësuar kriteret profesionale në fazën e verifikimit paraprak”. Në dokument theksohet qartë se konkursi duhet të kthehet në pikën zero dhe të themelohet sërish Komisioni i Pranimit, me respektim strikt të ligjit.
Burime brenda institucionit konsiderojnë se OSHP-ja ka tentuar të punësojë persona të afërt me pushtetin aktual (LVV) në pozita që kërkojnë përvojë profesionale të veçantë dhe licencim specifik, të cilat kandidatët e propozuar nuk i kishin.
Vendimi i KPMSHCK-së vlerësohet si mesazh i qartë se pozitat e ndjeshme dhe teknike në “gjykatën e tenderëve” nuk mund të shndërrohen në strehë të militantëve partiakë, por duhet të mbushen nga profesionistë të mirëfilltë.
Anulimi i konkursit për dy pozitat e “Ekspertit Shqyrtues” konfirmon se asnjëri nga kandidatët e preferuar nuk i përmbushte kriteret, duke e detyruar OSHP-në të rifillojë gjithë procesin. /Demokracia.com/












