Këshilli i Evropës kritikon përdorimin e resursve administrative dhe pozitave zyrtare në fushatën zgjedhore në Kosovë

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ka vlerësuar ambientin e përgjithshëm të fushatës zgjedhore në Kosovë, megjithëse ka vënë në dukje disa raste të përdorimit të burimeve administrative dhe pozitave zyrtare.

“Diskursi ka qenë i modruar; pak raste të gjuhës së urrejtjes dhe shprehjeve denigruese mes kandidatëve, sikurse në mediat online ashtu edhe në mediat tradicionale, pavarësisht polarizimit gjithnjë e në rritje të skenës politike në nivel qendror”.

Në raportin përfundimtar të misionit vëzhgues, delegacioni i përbërë nga nëntë anëtarë nën udhëheqjen e Dominique Lévêque shprehu keqardhje që ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës ndikoi negativisht në fushatë, duke lënë në hije çështjet lokale.

Gjithashtu, delegacioni ka përshëndetur pluralizmin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, por ka shprehur drojë për “politizimin në rritje” të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke përmendur përpjekjet për të refuzuar certifikimin e Listës Serbe dhe për të mos i akredituar mediat në gjuhën serbe.

“Ne vumë re politizimin në rritje të KQZ-së, një institucion i njohur [vetëm] për kompetencat e tij teknike. Kjo është veçanërisht shqetësuese. Megjithatë, ne theksuam rolin dhe efektivitetin jetik të mekanizmave të pavarur të korrigjimit zgjedhor, ashtu sikurse janë Paneli i Ankesave dhe Parashtresave dhe Gjykata Supreme e Kosovës”.

Ky organ monitorues ka shprehur keqardhje edhe për numrin e ulët të grave në garë, margjinalizimin e tyre në media dhe nën-përfaqësimin e tyre në administratën zgjedhore, duke bërë thirrje për nxitje të pjesëmarrjes së grave në qeverisjen lokale.

Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale ka sugjeruar gjithashtu rishikimin e pjesëmarrjes së votuesve jashtë vendit në zgjedhjet lokale, në frymën e rekomandimeve të vitit 2015. Në fund, ky institucion ka mirëpritur  përkushtimin e Kosovës ndaj demokracisë lokale, përfshirë Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.