Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KESCO) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind duke filluar nga maji i vitit 2026.
Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe tani i takon institucionit rregullator të çmimeve të energjisë elektrike të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo propozimin.
Sipas aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro – të cilat ishin aprovuar nga ZRRE-ja.
Institucioni që rregullon çmimet e rrymës në Kosovë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), vitin e kaluar aprovoi kërkesën e KESCO-s për shtrenjtimin e rrymës për 15%.










