KESCO ka njoftuar se ditët e fundit, Kosova po përballet me një rritje të ndjeshme dhe të paparashikueshme të kërkesës për energji elektrike, duke arritur nivele deri në mbi 1000 megavat në orë. Për shkak të rënies së temperaturave, kjo kërkesë është dukshëm më e lartë krahasuar me periudhat tipike të pranverës, kur konsumi zakonisht është më i ulët për shkak të kushteve më të favorshme klimatike.
KESCO thekson se kapacitetet vendore të prodhimit janë të kufizuara dhe arrijnë deri në 500 megavatë orë për orë. Për rrjedhojë, një pjesë e konsiderueshme e konsumit duhet të sigurohet përmes importit nga tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike. KESCO shpjegon se çmimet e tregut janë aktualisht të larta, duke kapur shifrat mbi 100 euro për MWh. Kjo ka bërë që kostoja shtesë për të siguruar energjinë e munguar të shkojë në miliona euro, një barrë e rëndë për sistemin energjetik.
Duke pasur parasysh këto zhvillime, KESCO bën thirrje për kujdes maksimal në përdorimin e energjisë elektrike dhe kërkon që qytetarët të kontribuojnë në mënyrë aktive në kursimin e saj.
KESCO e vlerëson përdorimin racional të energjisë si një akt përgjegjësie qytetare, si dhe një nevojë emergjente për të ruajtur stabilitetin energjetik dhe për të ulur kostot për vendin.
KESCO rekomandon shmangien e përdorimit të pajisjeve që shpenzojnë shumë energji elektrike, veçanërisht atyre të ngrohjes gjatë orëve të pikut, për të mundësuar kalimin sa më të lehtë të kësaj situate. /Demokracia.com/