Kërkon lirinë, seanca në Gjykatën e Lartë për Erion Veliajn mbahet më 8 korrik

Më 8 korrik në orën 12:00 do të zhvillohet gjyqi në Gjykatën e Lartë, ku kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj kërkon lirinë nga qelia e paraburgimit të Durrësit ku mbahet prej 12 shkurti me akuzat për korrupsion.

Kërkesa e tij do të shyqrtohet nga trupa gjykuese Medi Bici, Albana Boksi e Sokol Binaj. Më herët, Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar disa kërkesa të Veliajt për t’u liruar nga qelia, ndërsa SPAK po e heton kreun e bashkisë më të madhe të vendit për korrupsion, pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe akuzë tjetër e shtuar gjatë paraburgimit “futja e sendeve të paligjshme në qeli”.

Veliaj depozitoi rekursin më 19 maj 2025, duke kundërshtuar vendimin e Apelit të GJKKO, për masën e “arrestit me burg”. Rekurs në GJL kanë bërë edhe disa prej biznesmenëve të përfshirë në çështje, ndërsa bie në sy mungesa e emrit të bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxa.


Për të, gjykata vendosi një masë më të butë sigurie “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Kryetari i Bashkisë po hetohet për dyshime mbi konsumimin e veprës penale të “korrupsionit pasiv” në të paktën 9 raste, ndërsa së fundmi atij iu shtua edhe akuza për fshehje pasurie.

Ai u prangos më 10 shkurt me urdhër gjykate, ndërsa ka kundërshtuar disa herë publikisht akuzat. Që pas komunikimit të masës së sigurisë, Veliaj mbahet në ambientet e paraburgimit të Durrësit.