Mijëra qytetarë sot kanë protestuar në Shkup për të kërkuar drejtësi për rastin tragjik të vrasjes së katërvjeçarit Almir Aliu, të shtypur me makinë nga Boban Iliq, pas një zënke banale në spitalin e Kumanovës me prindërit e vogëlushit.
Qytetarët kundërshtojnë ri-kualifikimin e veprës për të dyshuarin Iliq për vrasjen e Almirit, nga kryeprokurori Ljubmir Jovevski nga vrasje me paramendim në aksident me pasoja të rënda. Ata kërkuan shkarkimin e kryeprokurorit Jovevski dhe të gjithë prokurorëve dhe gjykatësve të përfshirë në rastin e Almirit, ndërsa kanë kërkuar përgjegjësi edhe për mjekët që kanë kryer ekspertizën.
“Kërkojmë shkarkim urgjent të krye-prokurorit të Maqedonisë Ljubomir Jovevski për arsye se sjell vendime identike sikurse paraardhësi Zvërlevski. Jovevski është reforma juaj, Jovevski Nuk është reformë”, deklaruan organizatorët e protestës duke iu drejtuar qeverisë.
Përgjegjësi dhe shkarkim protestuesit kanë kërkuar edhe prej prokurorët dhe gjykatësit shqiptar të përfshirë në rastin e Almirit.
“Kërkojmë shkarkimin e prokurores Teuta Bediu Ramadani për refuzimin e kërkesës për ndryshimin dhe largimin e prokurores Kusigerska, gjegjësisht pengimin e drejtësisë për Almirin”, thanë organizatorët duke shtuar kërkuar edhe shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit të prokurorëve, përfshirë edhe katër prokurorët shqiptar të këtij Këshilli, Bashkim Besimi, Ferat Elezi, Ismail Dardhishta dhe të Xhelal Bajramit.
Protestuesit kërkuan përgjegjësi edhe nga Qeveria e Maqedonisë dhe kryeministri për moszbatimin e reformave në gjyqësi duke lënë drejtësinë në duart e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe jo-profesionist.
Nëna e Almirit, zonja Mixhevere tha se drejtësi nuk kërkon vetëm për djalin e saj të vrarë, por për të gjithë fëmijët që rrezikohen nga kriminel ordiner që shëtitën në liri.
“Almiri im nuk do të kthehet por të paktën fëmijët tuaj të jetojnë të lirë sepse djalit tim ja ndaloi rritjen pa I mbushur ende katër vjet. Almiri nuk dinte të bënte dallime etnike ai kishte ëndërr të shkonte në shkollë të lozte me shokët që fatkeqësisht një kriminel me dashje ja ndaloi”, tha nëna e Almirit.
Visar Vishka, një nga organizatorët e protestës tha se do të vazhdojnë të protestojnë derisa drejtësia nuk vihet në vend dhe nuk përgjigjen fajtorët./Almakos/