Njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar se ka ngritur një aktakuzë të re ndaj Hashim Thaçit, ka nxitur reagime të mëdha në vend, veçanërisht nga Partia Demokratike e Kosovës. Akuza për pengim të drejtësisë ndaj ish-presidentit të Kosovës po shihet si përndjekje politike e radhës nga ish-bashkëpartiakët e Thaçit.
Pas aktakuzës së re ndaj Thaçit, menjëherë kanë reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sekretarja Vlora Çitaku, dhe deputetët Enver Hoxhaj, Ganimete Musliu e Mërgim Lushtaku, shkruan Reporteri.net.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.
“Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi.
Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë? Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri.”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka apeluar që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale.
“Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës.”m thuhet në reagimin e tij.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se kërkohet drejtësi.
“Kërkojmë drejtësi. Jo përndjekje.”, ka shkruar Çitaku.
Kurse, deputeti Enver Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me mendje e me zemër është me Thaçin.
“Me mendje dhe me zemër, me Hashim Thaçin!”, ka shkruar Hoxhaj.
Ka reaguar edhe deputetja, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se Kuvendi iKosovës duhet të mblidhet dhe t’i thotë stop përndjekjeve politike.
“Parlamenti i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të debatoj për Gjykatën Speciale në Hagë dhe ti thot STOP përndjekjeve politike!”, ka shkruar Musliu.
Ka reaguar edhe deputeti Mërgim Lushtaku, i cili ka thënë se pavarësisht goditjeve të ulëta dhe padrejtësive që po ndodhin, Thaçi do të dalë më i fort se kurrë më parë.
“Jam i bindur se, pavarësisht goditjeve të ulëta dhe padrejtësive që po ndodhin, ti do të dalësh më i fort se kurrë më parë! Lufta për liri ishte dhe mbetet lufta për mbijetesë – një e drejtë e shenjtë e popullit tonë. Asgjë nuk mund ta zbehë të vërtetën e një kauze të drejtë dhe të fisnike, e cila mbështetet në sakrificat dhe guximin e atyre që luftuan për dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. E vërteta gjithmonë triumfon!”, ka shkruar ai.
Ja çka thuhet në aktakuzën e re ndaj Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Bashkim Smakajt dhe të tjerëve
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Sipas aktakuzës, Thaçi ka udhëzuar Kilajn, Smakajn, Fazliun dhe Kuçin të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë si dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në akuzë thuhet mes tjerash se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë.
Në aktakuzën e publikuar nga Specialja jepen detaje për “funksionimin e tri grupeve të Thaçit”.
Sipas saj, Thaçi në vizita u kishte dhënë informata të akuzuarve të tjerë në këtë rast se si t’i përcillnin mesazhe dëshmitarëve për të dhënë dëshmi. Aty thuhet se të akuzuarit kanë konfirmuar apo janë pajtuar me instruksionet e Thaçit për pengim të drejtësisë.
“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.”, thuhet në Aktakuzë.
Specialja në aktakuzë i ka ndarë grupet në: Grupin “Smakaj”, “Fazliu” dhe “Kilaj”.
Sipas aktakuzës këto grupe ishin krijuar me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”, thuhet tutje në njoftim.