Kërkohet që të shmanget kalimi në Jarinjë shkaku i protestave në Serbi

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar të martën vonë ka kërkuar që të shmanget kalimi në pikën kufitare në Jarinjë për shkak të protestave që po mbahen në Serbi.

Sipas njoftimit në Facebook, kjo qendër ka bërë të ditur se rruga në Kralevë të Serbisë është bllokuar nga protestuesit të cilët nuk po lejojnë qarkullimin e automjeteve.

Me qëllim të evitimit të kësaj rruge, u është bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare deri në një njoftim tjetër.

Protestat në mbarë Serbinë kanë shpërthyer që nga nëntori, ku 15 persona vdiqën pas shembje së një strehe në një stacion treni në Novi Sad. Madje sot kryeministri serb Millosh Vuçeviq dha dorëheqjen.