Kërkohet që rikthimi i gjyqtarëve e prokurorëve serbë të mos bëhet temë në dialog

Çështja e rikthimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serb të dorëhequr gati 3 vite më parë, është kthyer edhe njëherë në diskutim. Kjo për shkak të kërkesës së kryediplomatës së BE-së, Kaja Kallas e cila tha se pret që të njëjtit të rinisin punën e tyre. Edhe në Kosovë njohësit e drejtësisë e shohin si hap të duhur, por thonë se duhet që KGJK e KPK, të vendosin kushte e procedura për këtë.

Dera e Gjykatës Themelore në Mitrovicë vazhdon të jetë e hapur edhe më tutje, për rikthimin e 25 gjyqtarëve dhe 119 personave të tjerë në vendin e tyre të punës.

Të dorëhequr në nëntor të 2022, dorëheqjet e tyre ende nuk kanë marr epilog nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, derisa kjo çështje u rikthye edhe njëherë në diskutim gjatë vizitës së përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.

E njëjta në takimin me përfaqësues të sistemit të drejtësisë në veri, tha se pret që gjyqtarët dhe prokurorët serb të rikthehen sërish në punë.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kthimi i tyre sërish është zgjedhja më e duhur, porse duhet vendosur kushte.

“Do të ishte lajm i mirë nëse Këshilli gjyqësor dhe ai prokurorial në bazë të kushteve, kritereve procedurave që ata do i përcaktonin do tu mundësohej që prokurorët dhe gjyqtarët serb të kthehen ne vendet e tyre të punës, përfshirë edhe stafin mbështetës ajo çka është me rëndësi të përmendet është se Kosova në asnjë rrethanë nuk guxon që këtë temë ta kthejë në Bruksel si subjekt i diskutimit në mes dy shteteve”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor i IKD-së.

Nevojën që në trupat gjykues të ketë edhe gjyqtarë të komunitetit serb, e vënë në pah edhe avokatët që punojnë në atë pjesë të vendit, duke thënë se Kosova ka detyrime që duhet të përmbush.

“Republika e Kosovës si një shtet serioz duhet të aspirojë që në arenën ndërkombëtare dhe në raport me detyrimet kontraktuale marrëveshjet ndërkombëtare të shfaqet sa më e pjekur dhe përgjegjësi institucionale në raport edhe me faktorin ndërkombëtar dhe me detyrimet e saj kontraktuale që merr përsipër”, ka thënë Musa Damati – Avokat.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj në media ka deklaruar se çështja e rikthimit të gjyqtarëve është çështje e brendshme e sistemit gjyqësor dhe nuk duhet të ngritën diskutime politike për këtë.

Gjyqtarët, prokurorët dhe stafi administrativ nga komuniteti serb në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë dhanë dorëheqje në nëntor të 2022, pas vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.