Kërkohet që Kuvendi të bëhet me Komisionar për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të FSK-së
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka diskutuar lidhur me planin e punës për vitin 2019.
Anëtarët e Komisionit diskutuan edhe për procedurat rreth Projektligjit për Komisionarin e Kuvendit për Mbrojtje dhe Siguri dhe vendosën që Projektligji në fjalë të përfshihet në agjendën e Komisionit për muajin shkurt.
“Ky Projektligj është i hartuar me iniciativën e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar. Për fushëveprimin që do të rregullojë ky Projektligj, më shumë informacion mund të merrni nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërsa, në draft-dokumentin e Kuvendit të Kosovës, thuhet se Projektligji në fjalë ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve të FSK-së
“Ligji për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës, rregullon themelimin e Institucionit të Komisionarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës (në tekstin e mëtejmë Komisionari), i cili ka për qëllim fuqizimin e kontrollit parlamentar dhe sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personelit të këtyre institucioneve nga veprimet ose mosveprimet e autoriteteve publike, të organeve tjera dhe organizatave që ushtrojnë autorizime publike”, thuhet në nenin 1 të këtij Projektligji.
Ndërkohë, anëtari i Komisionit, Rexhep Selimi (LVV), tha se pas miratimit të tri ligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, duhet të bëhet edhe shqyrtimi i Projektligjit për Komisionerin, raporton kallxo.com.
“Draft-ligji për mbrojtje dhe siguri duhet të shqyrtohet në kohë më të shpejtë. Meqë tash FSK ka misionin e duhur ushtarak, janë kushtet e duhura që ai draft të diskutohet. Në fillim të vitit atë draft ta bëjmë ligj”, tha deputeti.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit, Fatmir Xhelili (PDK), kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të shqyrtohet edhe zbatimi i Ligjit për Policinë.
“E mbështes propozimin e deputetit Selimi. Duhet të kemi hapësirë që në mbledhjen e ardhshme të diskutohet edhe një herë, të hyjë në plan edhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Policinë”, theksoi deputeti.
Komisioni në fjalë, miratoi në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Letërnjoftim dhe formoi edhe grupin e punës.