Pesë prokurorë në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, merren vetëm me hetimin rasteve të krimeve të luftës.
Por aktakuzat që dërgohen nga këta prokurorë, në Gjykatë nuk trajtohen nga gjyqtarë që janë të profilizuar për këtë fushë. Në departamentin special të Gjykatës në Prishtinës, trajtohen raste më komplekse përfshirë edhe krimet e luftës.
Albert Zogaj kryesues i Këshillit Gjyqësor, konfirmon se mundësia e profilizimit të gjyqtarëve për krime të luftës, do të shikohet sapo të përfundojë procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj për këtë departament.
“Jemi në proces të përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinjë në Departamentin Special dhe me rritjen e numrit të gjyqtarëve në këtë departament, sigurisht do të shikohet mundësia e profilizimit të gjyqtarëve për krime lufte”, ka theksuar Albert Zogaj – Kryesues i KGJK-së.
Ish kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani thotë se në rast se bëhet profilizimi i gjyqtarëve do të kishte efekte pozitive, për shkak se Kosova ka ende mungesë të praktikës gjyqësore për këto raste.
“Besoj që do të ketë efekte pozitive për faktin se bëhet fjalë për krime që janë komplekse, pastaj për krime që janë kryer në rrethana specifike, nuk janë zbatuar të gjitha ato rregulla të taktikës kriminalistikes kur është kryer vepra penale për shkak të rrethanave, mungesa e praktikës gjyqësore për raste të tilla, kjo do të kontribonte në aspektin e profilizimit të tyre për të qasë më lehtë”, ka deklaruar Fejzullah Hasani – Ish kryetar i Gjykatës Supreme.
Sipas Amer Aliajt përveç për krime lufte, gjyqtarët duhet të profilizohen edhe për fusha të tjera.
“Është mirë që të profilizohen gjyqtarë të krijohen trupa gjykues të cilët do të merren vetëm me gjykimet për krimet e luftës, për arsye se kjo e bënë që të kemi një trajtim më efikas do të ndikojë edhe tek unifikimi i praktikave, por edhe gjyqtarët do të profilizohen edhe do të fitojnë më shumë përvojë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës”, ka theksuar Amer Aliaj – Fondi për të Drejtën Humanitare.
Një kërkesë të tillë për profilizim të gjyqtarët e kishte bërë edhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e edhe prokuroria Speciale e Kosovës.