Kërkohet paraburgim ndaj tre të dyshuarve për ushtrim ndikimi, në mesin e tyre një avokat dhe një zyrtar i gjykatës

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim për ushtrim ndikimi ndaj tre personave, Nustret Pepenikut – zyrtar i Gjykatës së Prizrenit; Bekim Parallangaj – avokat dhe Bekim Krasniqit – person që ka shërbyer si ndërmjetës.

Në Gjykatën e Gjilanit më 24.05.2025 është mbajtur seanca dëgjimore ndaj të pandehurve. Me të filluar seanca dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake, Rilind Sermaxhaj, njoftoi se kjo seancë lidhur me këtë rast do të mbahet në Gjykatën e Gjilanit për shkak të kompetencës territoriale.

 

 

“Seanca dëgjimore mbahet këtu për shkak të kompetencës territoriale dhe nenit 36, i cili parasheh që për veprat penale të kryera në Prizren kompetente është Gjykata Themelore në Gjilan”, tha gjyqtari Sermaxhaj.

Prokurorja Leonora Kadriu elaboroi kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit në të cilën kërkoi paraburgim për tre të dyshuarit për ushtrim ndikimi.

“Unë si përfaqësuese e kësaj kërkese për shkak të kompetencës territoriale pasi lënda është transferuar në Gjilan mbetëm në tërësi pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit të cilën e ka paraqitur Prokuroria Themelore në Prizren”,tha prokurorja Kadriu më 24.05.2025, raporton KALLXO.com, transmeton Periskopi.

 

 

Kadriu tha se ekziston dyshimi i bazuar se janë kryer veprat penale në të cilën janë të përfshirë të pandehurit.

“Konsiderojmë se ekziston dyshimi i bazuar se janë kry veprat penale në të cilat kanë qenë të përfshirë tani të pandehurit dhe kjo ka rrjedhë nga masat e veçanta hetimore sikurse edhe nga provat e tjera që janë të përfshira në faze të hetimeve”, vazhdoi prokurorja.

Në rastin konkret Kadriu tha se prokuroria do të sigurojë prova të mjaftueshme që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Tutje, prokurorja theksoi se ekziston rreziku se të pandehurit të arratisen dhe me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penal

 

 

“Ekziston rreziku që të arratisen dhe me këtë do të pengojnë rrjedhen normale të procedurës penale, duke marrë parasysh pozitat që mbajnë njëri avokat, tjetri punëtor administrativ i gjykatës dhe i treti person që ka jetuar një kohë të gjatë jashtë vendit dhe tani është kthyer, kanë kapacitete ekonomike dhe kontakte të shumta për të organizuar arratisjen”, tha më tej prokurorja Kadriu.

Ndër të tjera, prokurorja Kadriu i propozoi gjykatës që kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit ta aprovojë dhe të pandehurve t’iu caktojë masën e paraburgimit. Sipas Kadriut, asnjëra nga masat e tjera për sigurimin e të pandehurve në procedurë nuk ka rezultuar e mjaftueshme.

 

 

Mbrojtësi i të dyshuarit Bekim Krasniqi, avokati Urim Pozhegu, e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, duke konsideruar se një masë e tillë është shumë e rëndë dhe e papërshtatshme në këtë fazë të procedurës.

Avokati Pozhegu tha se Prokuroria në rastin konkret nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme për çka nuk janë të mjaftueshme masat e tjera alternative, dhe se masat si arresti shtëpiak dhe detyrimi për paraqitjen në Stacion Policor do të ishin të mjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.

 

 

Tutje, ndër të tjera, avokati Pozhegu i propozoi gjykatës që kërkesën për caktimin e paraburgimit ta refuzojë në aplikim të masave të tjera.

Kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për caktimin e paraburgimit e kundërshtuan edhe mbrojtësit e të pandehurëe të tjerë, avokatët Hasan Biraj dhe Kadri Sylaj. Të njëjtit i propozuan gjykatës masa të tjera alternative, si arresti shtëpiak ose paraqitja në Stacion Policor.

Avokatët Biraj e Sylaj i kundërshtuan edhe pretendimet e Prokurorisë së Prizrenit se të mbrojturit e tyre do të mund të arratisen dhe t’i shmangen procedurës penale.

Krejt në fund, gjyqtari Rilind Sermaxhaj njoftoi palët se lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit do të vendosë jashtë seancës.