Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit M.A., i cili dyshohet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-i në Zveçan.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Liridona Kozmaqi, zëdhënëse e kësaj Prokurorie.
“Ju informoj se prokurori i çështjes për të cilën keni pyetur, ka pashtruar kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarit M.A”, thuhet në njoftim, përcjell Periskopi.
PSRK-ja njoftoi të martën (15 prill) se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është ndaluar M.A., nën dyshimin për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, ‘’Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’’, ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi’’, ‘’Sulmi ndaj personit zyrtar’’, e dy vepra tjera penale.
“I njëjti dyshohet se me veprimet e tij ka kryer veprat penale: “Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese’’ nga neni 127 par.2 lidhur me nenin 114 par.2 të KRPK-së; ‘’Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare’’ nga neni 167 par.5 lidhur me nenin 31; ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizmi’’, nga neni 404 par.2 lidhur me nenin 31, veprën penale ‘’Sulmi ndaj personit zyrtar’’, nga neni 402 par.4 lidhur me nenin 31, ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotropike dhe analoge’’ nga neni 267 par.1 dhe ‘’Mbajtja ne pronesi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armve’’ nga neni 366 par.1 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftim.
PSRK bëri të ditur se pas ndalimit të të dyshuarit, gjatë kontrollit në vendbanimin e tij në cilësinë e provave materiale u sekuestrua substancë narkotike, pushkë ajrore e gjësende të tjera.