Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për kanosje ndaj dëshmitarit në rastin ‘Brezovica’

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë caktimin e paraburgimit për R.K., nga Skenderaji, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Prokurorisë, më 21 mars 2026, në restorantin “Mero” në fshatin Uglar, R.K. ka kanosur seriozisht A.Q., dëshmitar bashkëpunues në rastin “Brezovica”, duke thënë se do ta vriste, gjatë një dasme ku A.Q. ishte i pranishëm me familjen. Kërcënimi ka shkaktuar ankth dhe frikë tek i dëmtuari, i cili ka dhënë dëshmi kundër disa të pandehurve, përfshirë R.K., për veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Po ashtu, i pandehuri dyshohet se në të njëjtin vend ka mbajtur armë pa autorizim, në kundërshtim me Ligjin për armët, duke përbërë vepër penale sipas nenit 366 të Kodit Penal të Kosovës.

R.K. aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh të vendosur nga Prokurori i Shtetit.