Kërkohet paraburgim ndaj dy shtetasve palestinez, dyshohen për “falsifikim të parasë”

Prokuroria Themelore në Feriza ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: M.O, dhe Z.N., shtetas palestinez, për shkak të dyshimit të veprës penale “Falsifikim i parasë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më 06.02.2026, rreth orës 19:30, në pikën e derivateve “Ballkan Petrol” në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, konkretisht në Fsh. Prelez i Jerlive, i pandehuri M.O., me dashje duke e ditur se është e falsifikuar ka vënë në qarkullim paranë e falsifikuar si të vërtetë, me çka ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296 paragrafi 2 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurit M.O., dhe Z.N., ekziston dyshimi i bazuar se më 07.02.2026, në Rr. “Skënderbeu” në Kaçanik, të njëjtit në bashkëkryerje kanë poseduar paratë e falsifikuara me qëllim që të njëjtat ti vënë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që pas kontrollit të banesës nga ana e policisë janë gjetur tridhjetë e nëntë (39) bankënota nga 50$, në total 19.500 dollar amerikan, të cilat dyshohet se janë të falsifikuar, me ç’ rast edhe janë sekuestrruar nga policia, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë” nga neni 296 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Dy të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.