Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla i është drejtuar Departamentit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, në lidhje me heqjen e imunitetit për shtetasin rus M.A, punëtor i UNMIK-ut, i cili është subjekt i procedurës penale pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Për të njëjtin dhe 7 persona tjerë Prokuroria Themelore e Mitrovicës më 28 maj 2019, ka filluar hetimet për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi sipas Kodit Penal të Kosovës.
Kryeprokurori Syla ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës që në pajtim me ligjin për Statusin Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e Kosovës dhe Praninë Ndërkombëtare ushtarake dhe personelin e saj që ta procedojë këtë kërkesë te përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për heqjen e imunitetit të shtetasit rus.
Ndryshe, Mikhail Krasnoszchev, ishte arrestuar gjatë aksionit të djeshëm të Policisë speciale të Kosovës me qëllim të luftimit të kontrabandës dhe krimit të organizuar në veri.