Kërkohet anulimi i vendimit që emëroi Irfan Lipovicën në pozitën e Drejtorit të Akreditimit

Iniciativa “CorrWatch” ka shprehur shqetësim në lidhje me emërimin Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“CorrWatch” ka thënë se ky proces minon integritetin në administratën publike.

“Ky emërim jo vetëm që legjitimon një procedurë të paligjshme, por gjithashtu shkel parimet e integritetit dhe meritokracisë në administratën publike. CorrWatch kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij emërimi dhe një reflektim dhe përgjegjësi institucionale mbi shkeljet e evidentuara”, thuhet në komunikatë.

Lipovica i cili u arrestua si i dyshuar për rastin e rezervave shtetërore, të mërkurën, në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës është emëruar drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërrmarësisë dhe Tregtisë.

Sipas ministres aktuale të Industrisë, Rozeta Hajdari, ky institucion “ka rëndësi të lartë për ekonominë”.

Ajo ka thënë se procesi i përzgjedhjes në pozitën e nivelit të lartë drejtues është zhvilluar në mbështetje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe në rregulloren e Qeverisë, transmeton albanianpost.

Lipovica, u arrestua në gushtin e vitit 2023 pas aksionit të Prokurorisë Speciale në MINT për rastin e rezervave shtetërore, ku Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600 mijë euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.

Për rastin e rezervave shtetërore, përpos Lipovicës është arrestuar  edhe zyrtari i MINT-it, Hafiz Gara dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.

Sipas Hajdarit, zyrtarët e MINT-it të arrestuar, janë të pafajshëm dhe s’kanë bërë shkelje ligjore.

Për rastin e rezervave shtetërore është ftuar për intervistë edhe kryeministri Albin Kurti.