Kimberly West e ka të qartë sa burg do të kërkojë për katërshen e UÇK-së që po i ndjek tash e pesë vjet.
Burgimin e përjetshëm e ka vendosur në disa parashtresa e përgjigje ndër vite, ndërkaq është e gatshme që në fjalën përfundimtare prej 180 mijë fjalëve, t’ia kushtojë disa edhe kërkesës për kohëzgjatjen e dënimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, këtë fakt nuk duan as të përmendin në fjalët e tyre të fundit, e madje kërkuan që dënimi akoma hipotetik, as të mos përmendet deri pas leximit të aktgjykimit.
Kërkesa që fillimisht të dihet se për cilat nga 10 pikat e aktakuzës mund të jenë fajtor e pastaj të dorëzojnë kërkesat në përputhje me ato gjetje, u është refuzuar.
Në dorë të Speciales tanimë është fakti se a do t’i lejojë avokatët të ankohen në Apel.
Kërkesa e Mbrojtjes ka bazë ligjore mirëpo me Rregulloren e Speciales mund të praktikohet si opsion i dytë. Avokatët e arsyetojnë Apelin edhe me faktin se është rasti që ka 25 mijë e 865 faqe vetëm transkripte dëshmish.
Në të gjithë aktgjykimet e tjera si në rastin e Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt, Salih Mustafës, Pjetër Shalës – dënimet janë shqiptuar bashkë me leximin e pikave ku të akuzuarit janë gjetur fajtorë, ndërkaq Haxhi Shala, Ismet Bahtijari e Sabit Januzi kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë.











