,

Kërcënojnë sindikalistët: Vitin tjetër vlera e një koeficienti të bëhet 130 €, ose …

Nga janari i vitit 2024 vlera e koeficientit prej 105 euro do të ngritët për 5 euro, përkatësisht 110 €.

Kjo vlerë nuk po i kënaq sindikatat publike të Kosovës, ku edhe ka bërë që të mobilizohen për të diskutuar për këtë çështje.

Kështu ka thënë në një prononcim për Front Online, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi.

“Gjatë kësaj jave do të bisedojmë me sindikatat e tjera për një nga pikat për hapat të cilat duhet të ndërmerren”, u shpreh ai.

Gashi tha që vlera e përcaktuar për vitin 2024 është e papranueshme për ta si sindikatë.

“Kryeministri Albin Kurti ka proklamuar që vlera e koeficientit për vitin 2024 do të jetë 110 euro, që për ne si Federatë Sindikale e Administratës Publike është papranueshme, duke e marrë parasysh çmimet jashtëzakonisht shumë të larta dhe kostoja ekonomike që është pothuajse e papërballueshme për të punësuarit e sektorit publik por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai për Front Online.

Jasharaj: Do t’i drejtohemi deputetëve, kërkojmë vlerën e koeficientit 130 euro

Për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBAShK) vlera e koeficientit duhet të jetë 130 euro.

Kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj për Front Online ka thënë që do t’i drejtohen deputetëve në mënyrë që t’i plotësohet kjo kërkesë e tyre.

“Ne tani jemi duke bashkëbiseduar me sindikatat tjera do ta kemi një takim të kryesisë ekzekutive dhe bashkërisht do ta punojmë një shkresë me të cilën do t’i drejtohemi deputetëve edhe të pozitës edhe të opozitës që ata ta ngrisin çështjen dhe meqënëse po afrohemi fundit të vitit dhe do të bëhet planifikimi i ligjit të buxhetit për vitin e ardhshëm do të kërkojmë që deputetët të angazhohen që vlera e koeficientit të ngritët. Do të bëjmë angazhime që të ketë lëvizje të koeficientit së paku të jetë 130 euro vlera”, deklaroi ai.

Jasharaj ka kërkuar që të takohet edhe me zyrtarët e Qeverisë, mirëpo ai thotë që nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Ai thotë që qasja e pushtetit, krijon tensione.

“As kryeministri, as ministri Murati e as zonja Nagavci nuk i janë përgjigjur kërkesave tona të arsyeshme që të takohemi, dhe të bisedojmë dhe ata po harrojnë që në këtë mënyrë dhe kjo qasje e gabuar ndaj sindikatave krijon tensione, krijon dhe pakënaqësi, të cilat edhe nëse nuk ka grevë ato pakënaqësi ekzistojnë”, deklaroi ai.

Ngritja e vlerës së koeficientit, sipas kryesindikalisiti Rrahman Jasharaj thotë që do të duhej të bëhej për hir të Policisë së Kosovës.

Kjo për shkak që sipas tij, policët po përballen me sfida.

“Qeveria do të duhej ta ndjente obligim dhe moral që për hir të Policisë së Kosovës ta bëjë këtë ngritje të vlerës së koeficientit, sepse kjo Polici po përballet përditë me sfida të kohës dhe është duke qëndruar në nivelin më të lartë të detyrës, për atë po them edhe mos e bëftë për të tjerët, le ta bëjë për hir të Policisë së Kosovës dhe pastaj ajo vlerë të vlejë për të gjithë”, thekson ai.

Sindikata e Policisë: Vlera e një koeficienti të jetë sa gjysma e pagës minimale

Të njëjtën do të kërkojnë edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kryesindikalisti Imer Zeqiri për Front Online thotë që do të vendosin së bashku me sindikatat e tjera.

“Besoj që po kemi me kërkuar ngritje të koeficientit, do të duhet të jetë minimumi i 50% të pagës minimale. Po kemi me u taku edhe me sindikatat e tjera, ende ka kohë tani vendoset edhe për buxhetin, sigurisht që do të bisedojmë edhe do të dalim me kërkesat tona”, tha ai.

Megjithatë, Zeqiri thotë që kanë çështje të tjera më me rëndësi që Policisë së Kosovës duhet të i plotësohen.

“Nuk është diskutuar për këtë çështje sa i përket koeficientit, për shkak se kemi kërkuar beneficione të tjera dhe kur të vie radha sigurisht që do të kërkojmë dhe do ta bëjmë edhe bashkëpunimin me sindikatat e tjera”, thotë ai.

Përndryshe, Qeveria e Kosovës në fillim të këtij viti ka caktuar vlerën e një koeficienti 105 euro, me të cilin vendim janë shprehur të pakënaqur pothuajse të gjitha sindikatat në vend.

Related Posts