Kërcënimi me kallashnikov nga ish-polici- Avokatja rrëfen rastin

Verfikimi i një prone kontestuese në Banjë të Istogut, u bë shkak që ish polici, Abedin Muzlijaj, vëllau i njërit prej palëve në proces, të kërcënonte me armë zjarri avokaten dhe gjykatësen e rastit. Ai gjendet në arrati, derisa prokuroria e ka cilësuar rastin si “kanosje”.

Pronësia e një toke, u bë shkak i një rasti të paprecedentë në Banjë të Istogut.

Prona është në masë të sigurisë dhe në shqyrtim të trashëgimisë nga ana e Gjykatës Themelore në Pejë – Dega Istog, nga dy vëllezërit Selimaj.

Të njëjtit, kanë ngritur kallëzim penal për uzurpim të pronës ndaj Osman Muzlijaj, i cili në pronën e tyre, pretendojnë se ka vendosur një kioskë.

Për këtë çështje, të martën palët gjyqësore, kishin dalë në teren për verfikimin e pronës kontestuese.

Mirëpo, vëllau i Osman Muzlijaj, ish polici Abedin Muzlijaj, me AK-47, i kërcënoi që të largoheshin.

“Prej shtëpisë së tij, ish polici Abedin Muzlijaj, doli në këtë hapësirë, ku dyshohet të ketë ndodhur kërcënimi me AK-47, ndaj avokates Venera Gashi Selmanaj dhe disa punëtorëve të ndërtimit që po punonin këtu afër.”

Ish polici ndodhet në arrati dhe është në kërkim të organeve të rendit.

Avokatja Gashi Selmanaj, tregon se si ndodhi rasti.

“Dje me datë 30.04.2025 rreth orës 13:45 kemi dalë në vendin e ngjarjes me Gjykatën dhe ekspertin gjeodet si dhe palën e paditur, pastaj papritur, nga “hiçi” ka dalë ky personi, Abedini i cili ka ardhë në drejtimin tim deri sa isha duke e parkuar veturën, duke sharë dhe ofenduar”, tregon ajo.

Më pas, sipas saj ia ka drejtuar armën, duke menduar se ajo është gjyqtarja e rastit.

“Me thënë të drejtën, fillimisht nuk e kam vërejtur se arma është prej vërteti, dhe momentin që e ka reportuar para këmbëve të mia duke më thënë që mos të afrohem dhe mos ta kaloj mexhën, e kuptova rrezikun i cili na ishte kanosur të gjithëve. Fillimisht kishte menduar se jam gjyqtarja e rastit dhe nuk është qetësuar deri sa e ka kuptuar se jam avokatja e palës paditëse”, rrëfen rastin avokatja Gashi –Selmanaj.

Osman Muzlijaj nuk pranoi të deklarohet publikisht, por mohoi pas kamerave se një incident i tillë ka ndodhur.

Ndërkohë, ndaj të dyshuarit është iniciuar  rasti “Kanosje ndaj personit zyrtar”.

Gjatë ditës së enjte, Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka dhënë detaje tjera lidhur me rastin./tëvë1.info