Ngjitja e Vjosa Osmanit në skenën e ceremonisë së nënshkrimit të Bordit të Paqes, të inicuar nga Donald Trump, fsheh prapa një qëllim më të madh politik.
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka ngritur akuza serioze se presidentja e Kosovës po e përdor këtë afërsi për të siguruar një mandat të dytë në krye të shtetit.
FAZ shkruan se Osmani po tenton të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, në një kohë kur nuk gëzon mbështetje të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.
Sipas burimeve të cituara nga FAZ, kjo strategji shoqërohet edhe me një kërcënim të tërthortë ndaj skenës politike. FAZ ka thënë se një bashkëbisedues i mirë informuar në Prishtinë ka treguar se si Osmani në mënyrë indirekte “kërcënon” me Trumpin.
“Kërcënimi është: ‘Nëse nuk më rizigjdhni presidente, do të keni telashe me SHBA-në”, ka shkruar FAZ. “Disa vite më parë një kalkulim i tillë edhe mund të kishte funksionuar”.
Në qendër të lojës politike të Osmanit është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili nuk shihet më si aleat nga presidentja.
Sipas FAZ, është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që ia siguroi Osmanit hyrjen tek Trumpi përmes lidhjeve të tij të ngushta me familjen presidenciale amerikane. Gazeta thekson se Rama po përpiqet ta forcojë Osmanin si rivale të Kurtit, të cilin Rama nuk e duron dot.
Por, në fund të artikullit, FAZ vlerëson se, ndonëse Kosova mbetet shteti më pro-amerikan në botë, karta amerikane nuk garanton më fitore politike.











