Kërcënimet ndaj Zana Avdiut: Aktivizohet Policia, një 22-vjeçar arrestohet dhe ndalohet për 48 orë

Aktivistja dhe analistja Zana Avdiu, ditëve të fundit ka qenë në fokus të kërcënimeve pas reagimit të saj në lidhje me kritikën që i bëri gjestit të Granit Xhakës në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë. Rastet e tilla ajo i ka denoncuar në Polici, çka ka aktivizuar hetuesit dhe tashmë një person është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se pas nisjes së hetimeve në drejtim të veprës penale “Kanosje”, Policia ka arritur që të identifikojë një person të dyshuar për njërin nga kërcënimet që ka pranuar Avdiu.

Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për një 22-vjeçar, i cili është shoqëruar sot në stacion policor për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se hetuesit policorë po vazhdojnë identifikimin e personave të tjerë të dyshuar, të cilat janë përfshirë në kërcënimet ndaj aktivistes.

Kujtojmë se familja e futbollistit Xhaka, po mendon ta padisë Avdiun, pasi ajo e cilësoi sjelljen e tij si të një rrugaçi gjatë fitores së Zvicrës 3:2 kundër Serbisë në Kupën e Botës.

Avdiu e kritikoi Xhakën pse i kapi organet gjenitale kur iu drejtuar bankës serbe dhe i shau ata me nënë gjatë ndeshjes së tensionuar në Katar.

Ajo shkroi pas ndeshjes: “Akti i Granit Xhakes, eshte per turp. Akt prej nje rrugaçi. Dhe, fatkeqesia eshte, qe asnje nuk la pa e shpernda ate foto. Pra, zero nivel, ne nje shtet te tane!”

I ashpër ndaj saj ishte babai i Granitit, Ragip Xhaka, i cili e kërcënoi atë gjatë një lidhjeje direkte në emisionin “Favorit”.

“Ke kujdes shumë për familjen Xhaka që shkruan se do përgjigjesh në çdo mënyrë. Por, pastaj është shumë vonë. Ti nuk e di çfarë do të ndodh”, i tha Ragip Xhaka.