Keqtrajtimet në Hagë, Lushi thirrje liderëve të shtetit: Mos u frikësoni por kryeni punën tuaj

Aktivisti kosovar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka folur rreth keqtrajtimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nga John Devaney, sa ishte roje e burgut, i njëjti tani prokuror në Gjykatën Speciale.

Në Klan Kosova, Lushi u bëri thirrje liderëve të shtetit të Kosovës, që të mos frikësohen, por të kryejnë punën e tyre në këtë çështje.

“Unë ju them liderëve të Kosovës mos u frikësoni, kryeni punën tuaj, për arsye se nesër do të ju trajtojnë juve ashtu, do të na trajtojnë neve ashtu, sepse kërkesa për trajtim dinjitoz dhe me të drejta bazike të njeriut, është kërkesë njerëzore. Liria nuk vyen kurrgjë pa këto gjëra bazike. Nuk duhet t’i frikësohemi askujt”, u shpreh aktivisti.

Sipas Lushit, Gjykata Speciale është duke testuar shtetin tonë, derisa shton se Kosova nuk duhet të dështojë në këtë drejtim.

Ndërsa ai deklaron se katërshja e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, sipas tij, janë dëshmuar të pafajshëm.