“Facebook” dhe “TikTok” janë dy platformat ku keqinformimi filloi të shpërndahej, ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë, e për shkak të shpërndarjes masive dhe qasjes së lehtë që ofrojnë mediat sociale, kontrolli dhe verifikimi i lajmeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Në një situatë të ngjashme është edhe Kosova gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, e cila ka nisur zyrtarisht më 11 janar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Organizatat që monitorojnë verifikimin e lajmeve dhe keqinformimin gjatë kësaj periudhe kanë identifikuar manipulime në rezultatet e sondazheve për zgjedhjet, si dhe njëanshmëri në raportimet mediatike të ngjarjeve.
Ligjëruesi në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe hulumtues në platformën Hibrid.info për verifikimin e lajmeve, Festim Rizanaj, gjatë një interviste për Albanian Post, tha se keqinformimi kishte filluar ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore.
“Ndarja e fushatës zyrtare nga para-fushata nuk është e logjikshme, pasi keqinformimi ka filluar muaj më parë, që kur u bënë të ditur kandidatët për kryeministër. Në këtë periudhë, në Facebook dhe TikTok u hapën faqe në emër të kandidatëve, ku u shpërndanë informacione dhe keqinformacione, pro ose kundër tyre. Ky fenomen vazhdoi edhe gjatë publikimit të listave të kandidatëve për deputetë dhe u përfshi në fushatën zyrtare”.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se “TikTok” është platforma ku dominojnë lajmet që kanë për qëllim keqinformimin.
“Sipas raporteve mujore të hibrid.info, keqinformimi më i shpeshtë gjatë shtatorit, tetorit, nëntorit dhe dhjetorit lidhej me përmbajtjet zgjedhore. Platforma TikTok ka dominuar si burimi kryesor i keqinformimeve, me numrin më të madh të përmbajtjeve të publikuara”, thotë Rizanaj për Albanian Post.
Publikimi i lajmeve jo të sakta në rrjetet sociale, po bëhet përmes ri-publikimit të sondazheve të manipuluara, të vjetra ose të edituara.
Por, përveç kësaj, “figurat publike dhe politikanët shpesh bëhen objekt i fabrikimeve, ku deklaratat e tyre nxirren jashtë kontekstit për të ndërtuar narrativë të njëanshme. Po ashtu, publikohen deklarata apo fotografi të vjetra të protagonistëve politik me idenë të paraqiten aktuale”.
Rizanaj tregon edhe disa nga dezinformatat që janë shpërndarë në mediat sociale.
“Që përfshijnë ambasadorë dhe zyrtarë të huaj apo edhe kryeministër duke i shfaqur si mbështetës të kandidatëve specifikë për kryeministër. Gjatë publikimit të listave të kandidatëve për deputetë, në media u përhapën spekulime të pavërteta për përfshirjen e disa personave në lista”.
Në një mënyrë apo tjetrën, keqinformimi ndikon në besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Këto përmbajtje krijojnë konfuzion tek opinioni publik, duke favorizuar grupe të caktuara politike dhe minuar besimin në proceset zgjedhore. Për shembull, publikimi i sondazheve të rreme në media sociale mund të ndikojë në manipulimin e opinionit publik, duke i orientuar votuesit drejt fituesve të parashikuar ose duke margjinalizuar kandidatët më pak të mbështetur”, sqaron ai.
Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, në një përgjigje për Albanian Post, tha se edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore është evidentuar përhapja e informacioneve të pasakta me qëllim ndikimin tek elektorati.
Me nisjen e fushatave zgjedhore, sipas saj, ka nisur menjëherë edhe fenomeni i keqinformimit.
“Fillimisht, në prag të fushatës zgjedhore, janë shpërndarë lajme të pavërteta se disa persona do të bëhen pjesë e një partie politike, ndërsa të tjerë të një partie tjetër. Kjo ka krijuar konfuzion te qytetarët”, thotë ajo për Albanian Post.
Ajo përmend disa raste që kanë pasur për qëllim krijimin e një perceptimi të rremë për mbështetjen e partive politike apo kandidatëve të tyre.
“Ndërkaq gjatë fushatës janë vërejtur raste të hapjes së profileve të rreme në rrjete sociale si Twitter dhe TikTok në emër të kandidatëve për deputetë. Po ashtu, janë publikuar rezultate të manipuluara të sondazheve për zgjedhjet”.
Demolli-Nimani shton se një dukuri tjetër është gjithashtu e theksuar gjatë kësaj fushate.
“Njëanshmëria e mediave në raportimin e ngjarjeve dhe fushatave, që padyshim ndikon në pasqyrimin jo të drejtë të aktiviteteve politike dhe në orientimin e opinionit publik”.
Fushata zgjedhore në Kosovë ka nisur zyrtarisht më 11 janar, kurse zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt të dielën.
Fushata për këto zgjedhjet do të jetë më e gjatë sesa të deritashmet, meqë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor organizohet me disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet.
Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore do të vlejë vetëm orët sa kutitë e votimit do të janë të hapura, ndryshe nga zgjedhjet paraprake ku fushata përfundonte një ditë para zgjedhjeve.
Gjithashtu, në këto zgjedhje qytetarët do të mund të zgjedhin 10 kandidatë për deputetë, për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku qytetarët votonin për 5 deputetët e tyre të preferuar nga një parti politike.