Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Uk Lushi, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe një kënge të kushtuar liderit të saj, Albin Kurti, duke e cilësuar fenomenin si të rrezikshëm dhe me pasoja shoqërore.
Në një reagim publik, Lushi shprehet se mbështetësit e Kurtit kanë kaluar nga entuziazmi fillestar në një fazë tjetër. “Myhybët e Albin Kurtit e kanë kaluar fazën e euforisë dhe tashmë ndodhen në fazën e çrregullimit psikosomatik. Pas kësaj faze vjen depresioni. Asnjëra nga këto faza nuk sjell asgjë të mirë për kombin shqiptar”, shkruan ai.
Sipas Lushit, problemi thelbësor qëndron te ndërtimi i një figure të paprekshme politike. “Kultivimi i kultit të individit është i rrezikshëm”, thekson ai.
Duke e zgjeruar argumentin, Lushi paralajmëron se shoqëria shqiptare ka ende pasoja nga e kaluara. “Kombi shqiptar ende po paguan çmimin e kulteve të personaliteteve të shekullit XX. Kultivimi aktual i kultit të individit nga disa segmente është një antishqiptarizëm i rrezikshëm, i cili duhet të ekspozohet dhe të ndalet me çdo kusht”, përfundon ai.











