Autoriteti Rregullator i Shërbimeve të Ujit – ARRU, gjatë javës së kaluar e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale se nga janari i vitit 2026, do të aplikohen tarifa të reja për shërbimet e ujësjellësit.
Kjo pas propozimeve që kishin pranuar nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, të cilat kanë kërkuar rritjen e çmimit për këto tarifa.
Rrjedhimisht, përpos që qytetarët e Republikës së Kosovës do të paguajnë më shtrenjtë për energji elektrike, nga janari i vitit tjetër do të paguajnë më shtrenjtë edhe për ujë.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në shtatë KRU-të që operojnë në territorin e Kosovës, për të marrë përgjigje se sa ka qenë propozimi i tyre për rritje të tarifave për shërbimet e ujit dhe cilat kanë qenë arsyet.
Deri më tash, vetëm KRU “Gjakova” ka kthyer përgjigje duke thënë se kanë propozuar që çmimi për shërbimet e ujit të rritet 100 përqind.
“Kompania ka kërkuar zyrtarisht rritjen 100% të tarifave. Kostoja e energjisë elektrike është rritur ndjeshëm dhe aktualisht ndikon rreth 20% më tepër në totalin e shpenzimeve. Përveç energjisë, janë rritur me përqindje të konsiderueshme këto kategori të domosdoshme për operim: 1. Klori dhe kimikatet e dezinfektimit; 2. Mirëmbajtja e teknologjisë dhe mjeteve të punës; 3. Makineritë dhe riparimet teknike; 4. Pjesët fazonike dhe materialet e rrjetit. Gjithashtu, Impianti i Ujërave të Zeza ka sjellë shpenzime të reja operative, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në pasqyrat financiare të dy viteve të fundit, pasi impianti është lëshuar rishtazi në punë. Me çmimet aktuale, KRU përballet me rrezik të qartë të jo qëndrueshmërisë financiare, prandaj kërkesa për rritjen e tarifave është e domosdoshme dhe e arsyetuar”, thuhet në përgjigjen e KRU “Gjakova” për Gazetën Nacionale.
Nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit – ARRU, gjatë javës së kaluara për Gazetën Nacionale kanë bërë të ditur se Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit kanë kërkuar rritjen e çmimit të tarifave për shërbimet e ujit për disa arsye.
“KRU-të kanë kërkuar rritjen e tarifave për disa arsye: 1. Rritja e kostos së energjisë elektrike pas kalimit në tregun e lirë; 2. Nevoja për investime në infrastrukturë; 3. Futja në përdorim e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura; 4. Zgjerimi i zonës së shërbimit; 5. Zvogëlimi i koeficientit të ndër-subvencionimit”, thuhet në përgjigjen e ARRU-së për Gazetën Nacionale.
Të njëjtit, kanë bërë të ditur se tarifat mund të ndryshojnë nga rajoni në rajon për shkak të specifikave të ndryshme të sistemeve të furnizimit me ujë në secilin rajon dhe për shkak e disa kompani tashmë kanë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa disa të tjera jo.
Se sa përqind do të rriten faturat e ujësjellësit për qytetarët nga janari i vitit 2026, mbetet të shihet në vendimin e ARRU-së i cili do të merret më 31 dhjetor 2025.











