“Kemi dy raste në Gjykatë Kushtetuese”, VV-ja s’e ndan votimin e fshehtë nga votat e diasporës: A po i bëhet presion Kushtetueses?

Lëvizja Vetëvendosje është zotuar se do ta respektojë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e votimit të fshehtë në Kuvendin e Kosovës, rast të cilin në gjykatë e ka dërguar AAK-ja me ndihem e deputeteve të PDK-së dhe LDK-së.

Megjithatë, në çdo deklarim që e potencojnë një gjë të tillë ata e përmendin edhe rastin që kjo parti e ka dërguar në Kushtetuese, i cili ka të bëj me votat me postë të diasporës.

I pari që këto dy raste i ka bashkuar në një fjali është kryetari i VV-së, Albin Kurti.

Në një intervistë për RTK-në, ai ka thënë se VV-ja do të respektojë vendimin e Kushtetueses për çështjen e votimit, duke rikujtuar se VV-ja pret përgjigje edhe për rastin e saj.

“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të mos harrojmë që i kemi dy raste në Gjykatë Kushtetuese lidhur me këto zgjedhje. Rasti i parë është ai i votave të manipuluara me postë nëpër ambasada dhe rasti tjetër është ky që u dërguar tash se fundi nga deputetët opozitarë e që konsideron se nuk bënë të ndërrohet metoda në kuadër të seancës për konstituim”, ka thënë Kurti.

Pas liderit të VV-së një gjë të tillë e kanë përsëritur edhe shumë deputetë të partisë që i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit.

Secili deputet i VV-së që është deklaruar pas ndërprerjeve të seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë e ka përmendur këtë fakt.

Një gjë të tillë e ka potencuar edhe deputetja e VV-së, Arbëresha Kryezi-Hyseni.

“Sot janë bërë tri javë që një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka dërguar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar cështjen e votimit të fshehtë, ndërkohë ne mbesim sot ende pa një përgjigje prej Gjykatës Kushtetuese për atë se si duhet të vazhdojnë tutje deputetët e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo, duke rikujtuar edhe kërkesën e VV-së në këtë gjykatë.

“Po të njëjtën kohë jemi po ashtu në pritje të një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese për një kërkesë që ka dorëzuar Lëvizje Vetëvendosje që ndërlidhet me votimin e mërgatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, i kemi dy kërkesa që po presim përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Kryeziu.

Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila e ka dërguar në Kushtetuese lenden për votimin e fshehtë ka thënë se nga gjykata ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet urgjentisht.

“Kur e kam dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kam kërkuar që të trajtohet me urgjencë lënda për shkak të bllokadës politike. Ndoshta është një rast unik që gjykata mundet me i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje edhe për punën e trajtimit apo kohëzgjatjes së sa një parti politike ka të drejtë ta shfrytëzojë të drejtën e kandidimit të një kandidati edhe nëse nuk i merr votat, sepse mundet në pafundësi të bëjë bllokata të tilla”, ka thënë ajo, duke u shprehur optimiste që gjykata do të kthej së shpejti përgjigje.

“Por, shpresojmë se do i trajtoj me seriozitet çështjet ku kemi ngelë. Nuk i gjykoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse ne i respektojmë, por ndoshta ta precizoj një afat kohorë sikurse është për formimin e Qeverisë”, ka thënë Kadrijaj.

Ndonëse kanë kaluar 3 javë Kushtetuesja nuk ka marrë as masë të përkohshme për pezullimin e mbajtjes se seancës konstituive çdo 48 orë.