Ka ditë kur trupi ta paraqet “faturën” pa mëshirë. Ditë që nuk mund t’i shmangësh, që të dhembin edhe vetëm t’i shohësh, por që duhet t’i përballosh nëse do të vazhdosh të jetosh me të vërtetë.
Për Gianluca Zambrotta, dje ka qenë një nga ato ditë. Ish-kampioni i botës ka përfunduar sërish në sallën e operacionit, duke nisur një rrugëtim që nuk flet vetëm për mjekësi, por për mbijetesë fizike. Nuk është një ndërhyrje çfarëdo; por etapë e detyruar e një historie të dhimbshme që vazhdon prej vitesh.
Zambrotta e kishte treguar me një sinqeritet tronditës: “Jam operuar tri herë te menisqet e brendshëm. Nuk i kam më, as në të majtën, as në të djathtën. Me kalimin e kohës këmbët janë deformuar…, tashmë jam një rast për manualet e kirurgëve. Më shikojnë dhe pyesin si arrij të ec akoma”.
Një problem që është përkeqësuar me vitet; gjenetikë e pafavorshme, mungesë menisqesh dhe, ndoshta, disa sinjale të injoruara për shumë kohë. Tre-katër specialistë të konsultuar, të gjithë të habitur, të gjithë të çuditur se si ai arrinte ende të luante, të vraponte, madje të argëtohej me padel.
Dhe tani ndërhyrja më e vështirë; osteotomia. Këmbë për t’u drejtuar duke prerë pjesë kockash, duke vendosur pllaka për të shmangur, të paktën për pak kohë, protezën totale. Një zgjidhje e përkohshme, sepse fati është tashmë i shkruar: proteza do të vijë, pas disa vitesh është e pashmangshme.
Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: Zambrotta nuk është dorëzuar kurrë. Nuk u dorëzua si futbollist, nuk dorëzohet as sot nën bisturinë e kirurgëve. Nuk do të dorëzohet as nesër. Ky operacion nuk është dorëzim, është një tjetër kapitull i betejës. Forza Gianluca!
The post Këmbët e sakrifikuara të kampionit të botës, zbulohet kalvari i pafund i Zambrotta për të ecur appeared first on Telesport.











