Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur kolegjiumin e rregullt me të gjithë kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive, në të cilin morën pjesë edhe prokurorë nga zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Takimi filloi me prezantimin e projektit të ri rajonal të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ‘Integriteti gjyqësor’, nga udhëheqësi i projektit, Nick Hawkins, i cili, në prani të të ftuarve, paraqiti synimet dhe objektivat kryesore të projektit, në funksion të avancimit të punës dhe forcimit të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në njoftimin e ZKPSH-së.
Gjithashtu, u theksua se gjatë takimit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit diskutoi me kryeprokurorët lidhur me punën gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025.
“Rëndësi e veçantë iu kushtua zbatimit të akteve nënligjore në fuqi, veçanërisht rregulloreve dhe udhëzimeve të detyrueshme të Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim të unifikimit sa më efektiv të praktikave institucionale”, thuhet ndër të tjera.
Kelmendi, sipas kësaj komunikate, në fund kërkoi që të rritet efikasiteti në shitjen e pasurive të konfiskuara, veçanërisht automjeteve, në mënyrë që të mos humbasë vlera e tyre.
The post Kelmendi me kryeprokurorët e prokurorive mbajnë takimin e kolegjiumit appeared first on Kosovapost.net.