Kelmendi kërkon kushte më të mira për prokurorët: Mungesa e buxhetit po dëmton drejtësinë

Ndërkohë kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, ka bërë thirrje Vjosa Osmani,t që të dekretojë kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në Konferencën Vjetore të Prokurorit të Shtetit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka bërë thirrje që pushteti ekzekutiv të krijojë kushte më të mira për punën e prokurorëve, duke theksuar se mungesa e tyre në raport me numrin e lëndëve mbetet një sfidë serioze për sistemin e drejtësisë.

“Brenda një dite nuk mund të jetë i pranishëm në seancë një prokuror, ndërsa aktakuzën e ka ngritur kolegu i tij. Pasoja e mungesës së numrit të mjaftueshëm të prokurorëve është një ndikim i drejtpërdrejtë në sjelljen e drejtësisë për qytetarin”, tha Kelmendi, duke bërë përgjegjëse institucionet që nuk sigurojnë buxhet të mjaftueshëm për sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se kjo ndikon në vonesën e procedurave dhe pamundësinë për t’i zbatuar ato sipas standardeve ndërkombëtare.

Sipas të dhënave të prezantuara, Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2024 ka trajtuar mbi 50 mijë raste, nga të cilat janë zgjidhur më shumë se 45 mijë. Për vitin 2025, përqindja e zgjidhjes së rasteve ka arritur në 92.52%, ndërsa gjatë nëntëmujorit të këtij viti 95%. Për rastet e korrupsionit janë zgjidhur 81.40% e lëndëve të pranuara.

Në raportin e Prokurorisë Speciale, Kelmendi ka njoftuar se gjatë vitit 2024 janë trajtuar 18 raste të krimit të organizuar me 63 persona, ndërsa janë zgjidhur 18 raste me 207 persona. Po ashtu, janë zgjidhur 27 raste të krimeve të luftës, që përbëjnë 90.91% të lëndëve të pranuara.

Në fushën e terrorizmit janë zgjidhur 47 raste, ndërsa për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë janë evidentuar mbi 2 milionë euro. Për trafikim me qenie njerëzore janë zgjidhur 39 raste me 46 persona, ndërsa për dhunë në familje janë zgjidhur 4.083 raste me 5.330 persona të përfshirë.

Ndërkohë kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, ka bërë thirrje Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të dekretojë kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Hajdaraj ka kritikuar mosveprimin e presidentes në këtë drejtim, duke theksuar se mbajtja e pozitës me ushtrues detyre për një periudhë kaq të gjatë nuk është e favorshme për sistemin e drejtësisë.