Kelmendi: Exit Poll-et nuk mund të ndikojnë në rezultatet zgjedhore

Gazetari dhe publicisti i njohur, Adriatik Kelmendi ka sqaruar se Exit Poll-i nuk duhet të interpretohet si rezultat përfundimtar i zgjedhjeve, por si një tregues paraprak i vullnetit të qytetarëve që kanë marrë pjesë në votime.

Në programin special për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Klan Kosova, Kelmendi po ashtu tha se rezultatet përfundimtare dhe zyrtare i publikon Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se Exit Poll-et nuk mund të ndikojnë në rezultatet zgjedhore.

“Exit Poll-i nuk është rezultati përfundimtar, sepse nganjëherë po përpiqen ta modifikojnë kuptimin e tij. Pra Exit Poll-i është shprehje e vullnetit të qytetarëve që kanë dalë për të votuar, dhe pastaj shprehja e vullnetit të atyre që janë të gatshëm të përgjigjen para anketuesve PIPOS, por edhe të anketuesve të tjerë. Ky është Exit Poll-i. KQZ-ja i shpall rezultatet përfundimtare të atyre që kanë votuar”, u shpreh Kelmendi.

Gazetari po ashtu tha se Exit Poll-i nga PIPOS, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit u prezantua në Klan Kosova, ishte brenda margjinës së gabimit.

“Exit Poll-i iu shërben qytetarëve për të marrë një prognozë, një parashikim të rezultatit disa orë para se të dalin rezultatet zyrtare. Në Exit Poll-in e kaluar ndoshta duhet treguar, që ne kemi qenë shumë mirë, edhe pse është bërë bujë e madhe, sepse kemi qenë në margjinë të gabimit. Nëse margjina e gabimit zakonisht është 2.9, madje në Exit Poll-e shkon edhe më lartë, ne në shtatë komunat që i kemi prezantuar margjina e gabimit ka qenë 2.4 kur bëhen të gjitha bashkë”, u shpreh Kelmendi.

The post Kelmendi: Exit Poll-et nuk mund të ndikojnë në rezultatet zgjedhore appeared first on Klan Kosova.