Në rrethanat aktuale energjetike të Kosovës, ekzistimi i njërës kompani pa tjetrën është i paimagjinueshëm: Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) prodhon energjinë elektrike dhe ia shet atë KEDS-it, i cili më pas e shpërndan tek konsumatorët. Megjithë këtë bashkëpunim të domosdoshëm, KEK-u ka ushtruar një padi të madhe ndaj KEDS dhe KESCO në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, shkruan Demokracia.com.
Për përfaqësimin në këtë proces ndërkombëtar arbitrazhi, KEK-u ka planifikuar të lidhë një kontratë të re të negociuar me kompaninë londineze HKA, në vlerë prej 97 mijë eurosh pa TVSH, për një periudhë 12-mujore.
Kontrata është titulluar “Angazhimi i kompanisë për ekspertizë financiare ndërkombëtare për nevoja të arbitrazhit”, dhe është dhënë përmes procedurës së negocimit. Sipas dokumentacionit të kontratës, kompania do të angazhohet për:
-
Përgatitjen e ekspertizës financiare në emër të KEK-ut për të arsyetuar pretendimet e ngritura,
-
Përgatitjen e përgjigjes ndaj ekspertizës financiare të palës së paditur,
-
Mbrojtjen e ekspertizës gjatë seancave të arbitrazhit.
Kontrata lidhet me një kontest ndërmjet KEK-ut dhe kompanive KEDS e KESCO, ku bëhet fjalë për interpretimin dhe kalkulimin e detyrimeve nga marrëdhënia kontraktuale ndërmjet tyre. Përfaqësimi do të bëhet pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Swiss Arbitration Center”), përmes avokatëve të licencuar dhe me përvojë në këtë fushë.
Kjo nuk është hera e parë që KEK-u lidh kontratë për këtë kontest. Në fillim të vitit 2024, KEK-u kishte nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare me kompaninë amerikane Squire Patton Boggs (US) LLP, me një vlerë totale prej 736,800.00 eurosh, megjithëse për këtë kontratë ishte parashikuar një shumë fillestare prej vetëm 300 mijë eurosh.
Historiku i mosmarrëveshjes
Padia e ushtruar nga KEK-u në arbitrazh ka të bëjë me pagesat e vonuara të KEDS-it dhe KESCO-s për energjinë elektrike të furnizuar që nga muaji mars 2020. KEK pretendon se të pandehurit kanë vonuar pagesat duke u thirrur në Forcën Madhore, siç parashihet në nenin 10 të Marrëveshjes për Furnizimin me Shumicë të Energjisë Elektrike.
Shuma në kontest arrin 7,433,937.80 euro, e cila pritet të ndryshojë me përllogaritjen e interesit të vonuar nga faturat e reja.
Në dosjen e tenderit që ka parë Demokracia.com, KEK-u sqaron se pala tjetër ka justifikuar vonesat duke u bazuar në ngjarjet e Forcës Madhore, siç përcaktohet në marrëveshjen ndërmjet tyre.
Faturat e normës së interesit sipas marrëveshjes për furnizim me shumicë të faturuara për të paditurin KESCO (tabela e parë) dhe KEDS (tabela e dytë) janë paraqitur më poshtë:
Lidhur me kontestin dhe faturat e lartpërmendura, palët në mosmarrëveshje kanë shkëmbyer komunikime me shkrim, kanë pasur takime së bashku me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje miqësore për pagesën e faturave dhe vonesave.
“KESCO dhe KEDS gjithmonë kanë kontestuar faturat e vonuara, duke pretenduar se vonesa i është atribuar një ngjarjeje të forcës madhore, siç parashikohet në nenin 10 të BSA, duke qenë se është pandemia COVID 19 dhe veprimet parandaluese dhe kufizuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjithashtu është pohuar se ata ende nuk janë rikuperuar nga efektet e asaj ngjarje dhe nga kriza globale e energjisë elektrike. Para paraqitjes së padisë, paditësi, fillimisht u përpoq të arrinte një zgjidhje miqësore. Për këtë qëllim dhe në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të vendosur, KEK-u bazuar në Art. 28.3 të BSA-së, ka dërguar kërkesë me shkrim, më 10 maj 2023 (kërkesa nr. 2887- Referenca e KEK-ut) për caktimin e një eksperti të pavarur për zgjidhjen e kontestit për faturat e vonuara të pagesave të përllogaritura në periudhën mars 2020 – mars 2022. KEK-u, si palë pretenduese, e ka bërë këtë propozim duke konsideruar se mund të angazhojë çdo ekspert, me ekspertizë të mirë profesionale, i cili do të jetë njohës i mirë i dispozitave ligjore të marrëdhënieve obligative, që trajton situatat kur zbatohet interesi juridik në përmbushjen e vonuar të detyrimeve, si dhe situatat e forcës madhore (vis major) ku të pandehurit mbështesin qëndrimin e tyre”, thuhet në arsyetimin e KEK-ut, përcjell Demokracia.com.
Tutje, aty thuhet se pala përgjegjëse, me anë të një letre me shkrim (nr. 31 dhe 32, referencë KEDS/KES|Co, e datës 2 maj 2023), ka refuzuar propozimin e KEK-ut për emërimin e ekspertit dhe ka konsideruar se institucioni i vetëm kontraktualisht kompetent për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje në përputhje me nenin 28, paragrafi 4 të BSA, është organi kompetent i arbitrazhit, siç është kontraktuar.
Dhe duke qenë se janë shteruar të gjitha mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje miqësore, KEK-u ka paraqitur një Noptivcë në Arbitrazh për borxhin e vonuar në bazë të faturave të pagesës me vonesë të paraqitura në formën e mësipërme tabelare. /Demokracia.com/