Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Sindikata e Pavarur e Energjetikës së Kosovës (SPEK) janë obliguar që t’ua kthejnë mjetet punëtorëve që ua kishin ndalur jashtëligjshëm.
Këtë vendim e ka marrë Inspektorati i punës, pasi në janar të këtij viti “Koha Ditore” kishte raportuar se si kryetari i SPEK-ut, Izet Mustafa, nëpërmjet një “udhëzimi të akomodimit” (të vitit të kaluar) i kushtëzonte shfrytëzuesit e pushimit në det që të qëndronin për një vit në këtë sindikatë.
Në të kundërtën, mjetet e shpenzuara për pushim do t’u ndaleshin në paga për gjashtë muaj rresht.
Meqë kishte punëtorë të SPEK-ut që pasi ishin kthyer nga Shqipëria e kishin braktisur këtë sindikatë, ndalesat kishin filluar. Zbatues i këtij dokumenti të paligjshëm ishte Korporata Energjetike e Kosovës.
Inspektorati i punës më 26 shkurt 2018 ka nxjerrë vendimin obligues për SPEK-u dhe KEK-u nr. 01-60-02-1/2018. Sipas vendimit, Izet Mustafa përveç që ka shkelur Ligjin për organizimin sindikal, me rastin e kushtëzimit ka shkelur edhe vetë Statutin e Sindikatës që drejton.