KEK refuzon kërkesat për lehtësime në kriteret e tenderit 137 milionësh, pavarësisht hapësirës ligjore

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) më 20 shkurt 2025 ka hapur tenderin për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 në Termocentralin “Kosova A”, një nga projektet më të mëdha energjetike të dekadës së fundit, me vlerë të parashikuar prej 137 milionë e 340 mijë euro. Procedura është zhvilluar përmes metodës së prokurimit konkurrues me negociata, ndërsa tenderi ndodhet aktualisht në fazën e sqarimeve të dokumentacionit teknik, shkruan Demokracia.com.

Një operator ekonomik ndërkombëtar, pjesë e një konsorciumi me përvojë në sektorin e energjisë, ka dorëzuar një kërkesë për sqarim, duke ngritur dy çështje kyçe që lidhen me kriteret e përvojës së mëparshme të kërkuara në dosjen e parakualifikimit.

Në letrën e tij drejtuar KEK-ut, operatori thekson:

“Sa i përket kërkesës për referenca, ku kërkohen certifikata për projekte të përfunduara gjatë tri viteve të fundit, dëshirojmë të nënvizojmë se në sektorin global të energjisë nga qymyri ka ndodhur një tërheqje e dukshme, për shkak të rregulloreve ndërkombëtare dhe përqendrimit në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Si pasojë, është ulur ndjeshëm edhe numri i projekteve për rehabilitim apo modernizim të termocentraleve me qymyr”.

Duke u bazuar në këtë realitet, operatori propozon:

  1. Zgjatjen e periudhës së vlefshmërisë së referencave nga 3 në 9 vjet, për të reflektuar realitetin aktual të tregut.
  2. Pranimin e referencave nga teknologji të tjera të djegies, si LNG, BFG, COG, HFO, etj., në rastet kur kompanitë kanë eksperiencë të dokumentuar në rehabilitimin e sistemeve të ngjashme të kazanëve industrialë.

Me këtë letër, lidhur me kërkesën për parakualifikim për projektet referuese, ne kuptojmë se kriteret tuaja specifikojnë ofrimin e certifikatave për projekte të përfunduara brenda tre viteve të fundit.

Megjithatë, dëshirojmë të theksojmë me respekt një prirje të rëndësishme globale në sektorin e prodhimit të energjisë me qymyr. Të nxitura nga rregulloret ndërkombëtare në rritje dhe theksi në shtim për zbutjen e ndryshimeve klimatike, ka pasur një përshpejtim të dukshëm në çaktivizimin e termocentraleve ekzistuese me qymyr në mbarë botën.

Kjo ndryshje globale gjithashtu ka rezultuar në një rënie të konsiderueshme të zhvillimeve të projekteve të lidhura me “Rehabilitimin, Rindërtimin/Modernizimin” e termocentraleve me qymyr në vitet e fundit.

Duke pasur parasysh këtë situatë globale në ndryshim dhe numrin e kufizuar të projekteve të përfunduara rishtazi, do të ishim shumë mirënjohës nëse do të konsideronit lejimin e këtyre më poshtë:

1 – Zgjatjen e periudhës së referencave nga 3 vitet e fundit në 9 vitet e fundit?
2 – Ose zbatimin/pranimin e referencave të ndryshme jo vetëm për qymyr, por edhe për materiale të tjera djegëse, sipas pikave për kërkesat e aftësisë teknike dhe/ose profesionale 8.1 dhe 8.2?

Për t’u theksuar se ne si kompani në konsorcium i përmbushim të gjitha pikat e kërkuara për Referenca, përveç Referencës për Kazan (Boiler) në sektorin e qymyrit në 3 vitet e fundit!

Megjithëse kompania jonë partnere për Kazan në konsorcium ka shumë referenca me qymyr në vitet e mëparshme, dhe vitin e fundit ka shumë referenca në teknologjitë LNG, BFG, COG, HFO… etj.

Ne po bëjmë këtë kërkesë për të na lejuar neve dhe të gjitha kompanitë/konsorciumet e interesuara që të aplikojnë në mënyrë të përshtatshme për fazën e parë të aplikimit për Parakualifikim, sipas prirjeve aktuale ose të vitit të kaluar në sektorin e termocentraleve me qymyr!”, thuhet në kërkesën e e kompanisë të cilës nuk i është zbuluar identiteti.

Në përgjigjen zyrtare, KEK refuzon të dy kërkesat, duke thënë:

“Në përgjigje të kërkesës suaj për sqarim lidhur me pranueshmërinë dhe vlefshmërinë e referencave, ju lutemi gjeni më poshtë qëndrimin tonë zyrtar, të bazuar në ligjin përkatës të prokurimit publik (PPL) dhe kuadrin teknik:

  1. Afati kohor për referencat nuk mund të zgjatet, sepse çështja e afatit kohor (3 vite) është e përcaktuar nga legjislacioni për Prokurim Publik.

  2. Referencat për kazanët që kanë teknologji tjetër të procesit të djegies dhe që nuk kanë të gjitha pajisjet/facilitetet e ngjashme me kazanët me avull që punojnë me qymyr nuk pranohen, sepse struktura e kazanëve dhe procesi i djegies është i ndryshëm nga kazanët që përdorin lëndë të tjera djegëse, p.sh. nuk kanë mullinj, të dhënat, modeli i vatrës është shumë i ndryshëm, etj”.

Mirëpo, bazuar në Ligjin nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, i cili rregullon kriteret për kapacitetin teknik dhe profesional, tregon se nuk ekziston asnjë ndalim ligjor që e detyron autoritetin kontraktues të kufizojë referencat vetëm në tri vitet e fundit. Përkundrazi, ligji thotë:

“Autoriteti kontraktues mund të kërkojë që operatori ekonomik të dëshmojë përvojën në kryerjen e kontratave të ngjashme gjatë një periudhe të caktuar kohe, që përcaktohet nga autoriteti kontraktues”.

Për shembull, Komuna Prishtinës tek kontrata qe ka për Shërbimin Arkitektit te Kryeqytetit pate kërkuar referenca ne dhjete vitet e fundit.

Kjo do të thotë se KEK ka pasur hapësirë të plotë ligjore që të përcaktojë vetë afatin kohor për referencat, duke pasur parasysh natyrën teknike dhe specifike të kontratës, si dhe realitetin aktual të tregut ndërkombëtar për projektet me qymyr. Po ashtu, refuzimi kategorik për të shqyrtuar referencat nga teknologji të tjera të djegies (të cilat janë të ngjashme në parim dhe shpesh me kompleksitet të barasvlershëm ose më të madh teknik) mund të perceptohet si kufizim i panevojshëm i konkurrencës, në kundërshtim me parimet e përgjithshme të prokurimit publik si konkurrenca e drejtë, proporcionaliteti dhe trajtimi i barabartë.

Një kriter tepër strikt, që nuk merr parasysh ndryshimet strukturore në industrinë globale të energjisë, mund të kufizojë padrejtësisht pjesëmarrjen e kompanive serioze ndërkombëtare dhe të ndikojë në rezultatet përfundimtare të një tenderi me vlerë kaq të madhe për buxhetin publik.

Me një publikim për korrigjimin e këtij njoftimi, KEK-u para disa javëve ka shtyrë afatin për dorëzimin e tenderëve deri më 05.06.2025 13:00:00. Kurse për Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave për sqarimin e dosjes së tenderi ka qenë deri më 15 Maj. Tash e tutje, kompanitë që nuk kanë qenë të kënaqura me përgjigjet lidhur me vendosjen e kritereve, do të mund të adresohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Vlen të përmendet se KEK,-u ditë më parë i ka zbutur disa kritere, por siç shihet nuk ka papranuar të lëviz nga ky i fundit.

Bazuar në kriteret e tenderit, asnjë kompani nga Kosova nuk ka kapacitet të kryejë këtë punë, por do të mund të ishte pjesë e ndonjë konzorciumi të kompanive të huaja. /Demokracia.com/

 

Tenderi i KEK-ut 37 milionësh për rehabilitimin e Termocentralin Kosova A, cilat janë kompanitë ndërkombëtare që mund të ofertojnë