KEK: Projekti A3 nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka sqaruar se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A” nuk është anuluar, por vetëm pezulluar përkohësisht si pasojë e një ankese të paraqitur në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

KEK thekson se pezullimi është një procedurë standarde ligjore që aktivizohet automatikisht sipas Ligjit për Prokurimin Publik, sa herë që një operator ekonomik paraqet ankesë në OSHP.

“Ky nuk është as rasti i parë, as i fundit i pezullimit të përkohshëm për arsye procedurale”, thuhet në njoftim.

Sipas KEK-ut, më 2 korrik 2025, Zyrtari i Prokurimit ka dorëzuar kërkesën për heqjen e pezullimit në OSHP, duke u bazuar në nenin 112 të Ligjit për Prokurimin.

Korporata thekson se ankesa është e pabazuar, dhe këtë e mbështet edhe raporti i Ekspertit Shqyrtues i OSHP-së, i cili ka rekomanduar refuzimin e saj si të palejuar.

KEK rithekson përkushtimin për zhvillimin transparent dhe të drejtë të këtij projekti me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike të vendit. Procesi është mbështetur nga ekspertë të brendshëm dhe konsulencë nga USAID, me dokumentacion të hartuar sipas standardeve ndërkombëtare.

“Apelojmë që të gjitha palët të shmangin dezinformatat dhe të kontribuojnë në një debat të bazuar në fakte, transparencë dhe ligjshmëri”, përfundon njoftimi i KEK-ut.

The post KEK: Projekti A3 nuk është anuluar, por pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese appeared first on Kosovapost.net.