Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se njësia B2 është ndaluar për 48 orë sepse duhet t’i nënshtrohet një kontrolli teknik i cili vlerëson gjendjen dhe qëndrueshmërinë e prodhimit, pas dy mijë-orësh operim të pandërprerë.
KEK-u tha se kjo njësi është po operonte pa ndërprerje që 26 tetori 2025.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia B2, e cila ka qenë në operim të pandërprerë që nga data 26 tetor 2025, ka realizuar me sukses rreth 2,000 orë pune apo 82 ditë operim kontinual. Duke marrë parasysh ngarkesën e vazhdueshme operative dhe kushtet aktuale teknike, është e domosdoshme që kjo njësi t’i nënshtrohet një kontrolli teknik, me qëllim të vlerësimit të gjendjes së saj, rifreskimit të parametrave operativë dhe sigurimit të vazhdimësisë së qëndrueshme të prodhimit. Ky kontroll teknik pritet të zgjasë rreth 48 orë, gjatë të cilave ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. tashmë kanë filluar ndërhyrjet dhe verifikimet e nevojshme në pajisjet kryesore të njësisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut në Facebook.
KEK-u thotë se “kjo periudhë do të shfrytëzohet për të realizuar edhe sanimin e disa gypave në kaldajë, tek të cilët janë evidentuar rrjedhje, duke rritur kështu nivelin e sigurisë dhe efikasitetit të operimit të mëtejmë të njësisë”.
“KEK sh.a. mbetet e përkushtuar për operim të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, duke ndërmarrë masa të rregullta parandaluese dhe mirëmbajtëse në funksion të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik”.









