KEK ka gjetur edhe sot rrymë për kompanitë në treg të hapur që s’kanë ende kontrata – 20 euro më shtrenjtë se dje

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se çmimi mesatar i energjisë së blerë në ditën e parë të liberalizimit të tregut ishte 64.55 euro për MWh, ndërsa sot 86.75 euro.

“Këtu KEK siguroi energjinë elektrike për ndërmarrjet në treg të lirë, në ditën e parë të liberalizimit të tregut. Çmimi mesatar i energjisë së blerë për dje ishte 64.55 Euro për MWh, ndërsa sasia e blerë për sot është kontraktuar me çmim 86.75 Euro për MWh, që të dyja çmime konkurruese.”

“Përtej frikës së sinqertë nga pasiguria që sjell liberalizimi i tregut në afat të shkurtër, e përtej zhurmës e klithmave të pasinqerta të disave (pak por të zëshëm), të ndajmë disa çaste për ta përbrendësuar e çmuar se çfarë është duke ndodhur. ALPEX është një ëndërr e kahmotshme e realizuar për Kosovën. Mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri. ALPEX është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme për të mundësuar monitorim rigoroz e hetim në rast nevoje. Në fotografinë e madhe, ALPEX është vetë antidoti i “mafisë energjetike” që me të vërtetë ka funksionuar gjatë në Bllkan e me gjasë funksionon ende – por nuk ka të bëjë aspak me Qeverinë Kurti. 🇦🇱🇦🇱🇽🇰🇽🇰 ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024 dhe ende është i ri. Ishte moment historik, por si shumë ngjarje që vërtetë janë me rëndësi, nuk arriti ta marrë vëmendjen e duhur mes zhurmave ditore që zënë hapësirën kryesore në diskursin tonë publik. Me liberalizimin e tregut, ALPEX bëhet pak më likuid, më i madh e më i fortë.”

Rizvanolli ka thënë se në vitin 2016 ishte vetëm nje furnizues, KESCO, ndërsa sot janë 21 furnizues.

“Sa i përket konkurrencës në tregun e furnizuesve, në kohën kur u bë Ligji për Energjinë Elektrike që parasheh liberalizimin e tregut (2016), ishte vetëm një furnizues: KESCO. Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRrE, prej të cilëve së paku 5 deklarojnë se janë aktiv e të gatshëm të japin oferta. E tash që janë – jo 3 – por 1300 konsumatorë në treg, numri i furnizuesve e konkurrenca mes tyre sigurisht që do të rriten, në të mirë të konsumatorëve, sektorit e gjithë ekonomisë.”

Ajo ka shtuar se Kosova ka ende shumë rrugë për të bërë deri në një treg të lirë e të integruar në tregun e BE’së.

“Kosova, si edhe vendet e rajonit, ka ende për të mësuar për tregjet e energjisë elektrike e ende shumë rrugë për të bërë deri në një treg të lirë e të integruar në tregun e Bashkimit Evropian (që parashihet më 2030). Bizneset tona gjithashtu kanë shumë për të mësuar në drejtim të operimit në treg të lirë e optimizimit të konsumit të energjisë elektrike. Këto mësime mund të duken të vështira tani, por ato duhet të mësohen sot në mënyrë që bizneset tona të jenë konkurruese në të ardhmen kur të jemi pjesë e tregut evropian të integruar të energjisë, me të gjitha mundësitë por edhe sfidat e veta me politika si ajo e çmimit të karbonit.”

Ajo ka thënë se Qeveria do të jetë e sinqertë dhe e përkushtruar.

“Në këtë rrugëtim, sigurisht që do të ketë sfida edhe për bizneset edhe për institucionet. Ndoshta edhe do të bëjmë ndonjë gabim ndonjëherë, por kjo është mënyra se si mësojmë e si rritemi për t’u bërë konkurrues në treg e për të neutralizuar ndikimin e atyre që nuk janë as miqt tonë e as të ndershëm në biznes. Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju sigurojmë që në këtë rrugëtim do të jemi të sinqertë, të përkushtuar e së bashku për intersin publik: për të mirën e konsumatorit, sektorit e vendit.”