KEK dyshohet se po furnizohet jashtëligjshëm me mazut pa tender

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dyshohet se po realizon furnizime me mazut pa ndjekur procedurat zyrtare të tenderimit, duke e bërë këtë në mënyrë të jashtëligjshme dhe jashtë transparencës së kërkuar, shkruan Demokracia.com.

Më 18.01.2024, “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a. në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka publikuar njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”. Tenderi është në një vlerë prej 6.6 milionë euro dhe që rreth një vitë e gjysmë nuk ka mundur të lidhët për shkak se prokurimi i korporatës shkeli ligjin disa herë duke tentuar të lidhë kontratë me kompaninë “EX FIS ” dhe lënda ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, dhe pikërisht për këtë tender Paneli OSHP-së ka kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit që të iniciojë veprime për marrjen e certifikatës profesionale zyrtarit kryesorë të prokurimit të KEK.

Ky tender është jetik për funksionimin normal dhe të pandërprerë të KEK-ut, pasi siguron furnizimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm me karburant, duke shmangur ndërprerjet në prodhimin energjetik dhe duke mbështetur stabilitetin energjetik në Kosovë. Gjatë kohës sa korporata po përplaset në OSHP me një kompani ankuese për këtë kontratë të madhe, ka lidhur disa tender me negocim me “Exfis” për të njëjtin qellim.

Bazuar në të dhënat e e-prokurimit, furnizimi i fundit i tenderit me negociim për “FURNIZIM ME VAJ PËR NGROHJE – MAZUT (Fuel Oil 1.0%)” u realizua më 18 dhjetor 2024 dhe kontrata u lidhë më “Exfis”.  Furnizimi u bë me një sasi për 40 ditë. Që nga ajo kohë, sipas të dhënave të e-prokurimit, KEK-u nuk ka lidhur asnjë kontratë tjetër me negociim ose të rregullt për këtë furnizim. Dyshimet e forta janë se korporata po furnizohet jashtëligjshëm me mazut nga “Exfis”, pasi pa sasinë e mjaftueshme të mazutit, termocentralet nuk mund të funksionojnë me kapacitet të plotë, duke rrezikuar ndërprerjet në furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.

Demokracia.com i ka drejtuar KEK-ut pyetje më 26 maj për të marrë sqarime lidhur me këtë situatë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, korporata nuk ka kthyer asnjë përgjigje. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

KRPP-ja neglizhon kërkesën e OSHP-së për tërheqjen e certifikatës së zyrtarit përgjegjës të prokurimit në KEK