KEK dhe KOSTT shpërfillin bizneset, nxjerrin marrëveshje për furnizim me rrymë për tregun e lirë

Derisa u bllokuan për dy orë sot hyrjet e kryeqytetit nga përfaqësues të rreth 1,300 kompanive vendore, në shenjë proteste për liberalizimin e tregut të energjisë, KEK-u dhe KOSTT-i nënshkruan sot një marrëveshje të re për furnizim me energji elektrike.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë (KOSTT) se kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi për furnizim me energji elektrike, në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

“Megjithëse KEK ka nënshkruar disa marrëveshje të tjera gjatë ditës, kjo marrëveshje me KOSTT ka rëndësi të veçantë për shkak të rolit strategjik që luan në tranzicionin e tregut të energjisë drejt modelit të hapur dhe konkurrues. Ajo përfaqëson një moment kyç në zhvillimin e sektorit energjetik në vend, duke krijuar bazat për furnizim të sigurt, efikas dhe transparent me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera, shtohet se përfaqësuesit e KEK-ut dhe KOSTT-it theksuan se ky bashkëpunim ka rëndësi strategjike, “duke u zotuar për vazhdimin e koordinimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, gjithmonë në funksion të përmirësimit të qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sektorit energjetik në vend”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka marrë vendim që kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, duhet të dalin në treg të hapur të energjisë elektrike.

Ky vendim ka ngjallur pakënaqësi të mëdha të këto biznese, të cilat sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) numërojnë rreth 1300 e të cilat konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

Përfaqësues të këtyre kompanive kanë kërkuar në vazhdimësi që ky vendim të shtyhet në mënyrë që këto biznese të mund të përgatiten për këtë ndryshim.

Por, ZRrE dhe qeveria në detyrë, kanë refuzuar që të shtyjnë afatin për këtë kalim, duke u arsyetuar se liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016.

Por, ZRrE dhe qeveria në detyrë, kanë refuzuar që të shtyjnë afatin për këtë kalim, duke u arsyetuar se liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016.

Në këtë kuadër, disa kompani kanë marrë oferta për energji elektrike deri në trefish më të larta se tarifat e tanishme, dhe shumica nuk kanë arritur ende të lidhin kontrata me furnizuesit.

E data për hyrjen në fuqi të këtij vendimi është 1 qershori, dhe ZRrE ka thënë se të gjitha bizneset e mëdha do të dalin nga skema e tarifave të rregulluara dhe do të futen në tregun e lirë.

Në protestën e sotme, përfaqësues të bizneseve thanë se hyrja në treg të hapur të energjisë elektrike, do t’i shkatërrojë shumë nga ta.

Njoftimi:

KEK dhe KOSTT arrijnë marrëveshje për furnizim me energji elektrike – një hap i rëndësishëm drejt tregut të lirë të energjisë

Prishtinë, 29 maj 2025 – Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë (KOSTT) kanë nënshkruar sot një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi për furnizim me energji elektrike, në kuadër të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

Megjithëse KEK ka nënshkruar disa marrëveshje të tjera gjatë ditës, kjo marrëveshje me KOSTT ka rëndësi të veçantë për shkak të rolit strategjik që luan në tranzicionin e tregut të energjisë drejt modelit të hapur dhe konkurrues. Ajo përfaqëson një moment kyç në zhvillimin e sektorit energjetik në vend, duke krijuar bazat për furnizim të sigurt, efikas dhe transparent me energji elektrike.

Përfaqësuesit e KEK dhe KOSTT theksuan rëndësinë strategjike të këtij bashkëpunimi, duke u zotuar për vazhdimin e koordinimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë, gjithmonë në funksion të përmirësimit të qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sektorit energjetik në vend.