Zyra e Rregullatorit për Energji ende nuk i ka dhënë dritën e gjelbër KEDS-it për shkëputjen nga energjia elektrike të bizneseve të mëdha që nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim me energji elektrike.
Shkyçja ishte paralajmëruar të niste të enjten, megjithatë aktvendimi i fundit i Komerciales ka krijuar paqartësi se si do të veprohet tutje.
Nga KEDS-i i thanë RTK-së se nuk është zhvilluar asnjë aksion për shkëputje.
Ndërkaq, njohës të drejtësisë thonë se ZRRE ka kohë 7 ditë që të ankohet për këtë aktvendim, e deri në një vendim të shkallës së dytë nuk ka të drejtë të shkyç biznesin që e ka paditur.
“Sipas ligjit për konflikte administrative, tani ZRRE-ja ka afat shtatë ditë për ankesë nëse pretendojnë vendim ndryshe nga dhomat e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale. Ajo që është me rëndësi, ky nen ka përcaktuar shkallën e ankesës nuk i shtyn ekzekutimin e vendimit, prandaj normalisht shihet edhe si siguri për bizneset dhe pamundësi e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike”, ka thënë avokati Florim Shqefqeti.
Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë të premten thirrje urgjente ZRRE-së të pezullojë vendimin për dalje në treg të lirë në mënyrë që të mbrohen bizneset.
“Duke marrë parasysh edhe faturat e KEK-ut të cilat kanë afate pagese shumë të shkurtra, vlerësohet se vetëm gjatë muajit gusht 2025 bizneset do të jenë të detyruara të paguajnë rreth 50 milionë euro para të gatshme, përfshirë edhe shumën e depozitave. Kjo situatë po e tkurr ndjeshëm likuiditetin në treg, po rrit kostot financiare të bizneseve dhe po dëmton seriozisht qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e sektorit prodhues në Kosovë”, kanë thënë nga Oda Ekonomike.
Nga Lidhja e Bizneseve të Kosovës ngrenë alarmin se ekonomisë po i kanoset rrezik për shkak të veprimeve të ZRRE-së për treg të lirë.
Sipas LBK-së vendimi është pa bazë ligjore dhe dëmton bizneset. Zyra e Rregullatorit për Energji pati paralajmëruar se pas 30 korrikut do të nisë me shkyçjen nga rryma të të gjitha bizneseve të mëdha që kanë dalë në tregun e lirë energjetik e që nuk kanë lidhur marrëveshje për furnizim me operatorët privat.
Bizneset e mëdha kanë thënë se me daljen në tregun e lirë do të paguajnë për më shumë se 100% më shtrenjtë energjinë elektrike.
The post KEDS nuk ka filluar ende shkyçjen e bizneseve të mëdha appeared first on Kosovapost.net.