Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se të shtunën ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve, të cilat nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, shkyçja është bërë në respektim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 13 gusht, pasi siç thuhet KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej Furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.
Tutje, KEDS-i ka bërë të ditur se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani, për çka KEDS-i ka mobilizuar ekipe në terren gjithandej në Kosovë”, bëhet e ditur në njoftim.
Në fund, KEDS-i ka inkurajuar këta konsumatorë që sa më parë të lidhin marrëveshje me një Furnizues të licencuar nga ZRRE-ja për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.
The post KEDS-i nis shkyçjen e bizneseve pa kontratë me furnizues të licencuar appeared first on Kosovapost.net.