KDI: Refuzimi i Kurtit për të dëshmuar në Prokurori cenon sundimin e ligjit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka shprehur shqetësim lidhur me qasjen refuzuese të kryeministrit Albin Kurti për të dëshmuar në ambientet e Prokurorisë Speciale, në rastin e njohur si “Rezervat Shtetërore”.

KDI thotë se ky veprim sfidon dhe minon parimin themelor të sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit, dy shtylla kyçe të rendit demokratik.

“Refuzimi i Kryeministrit për t’iu përgjigjur një ftese zyrtare të organeve të drejtësisë, sipas procedurës së paraparë ligjore, ushqen përshtypjen e gabuar se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për zyrtarët e lartë, të cilët mbi këtë praktikë mund tu shmangen rregullave që vlejnë edhe për qytetarët e tjerë”, thuhet tutje në reagimin e këtij institute.

Sipas KDI-së, insistimi i kryeministrit për të diktuar kushtet e dhënies së dëshmisë, duke këmbëngulur që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij dhe jo në ambientet e Prokurorisë, krijon një precedent të rrezikshëm dhe bie ndesh me dispozitat ligjore në fuqi.

“Sundimi i ligjit nënkupton se askush, pavarësisht pozitës apo funksionit, nuk gëzon trajtim të veçantë përballë institucioneve të drejtësisë. Nëse kreu i Qeverisë mund t’i shmanget thirrjeve të Prokurorisë apo të vendosë vetë se ku do të japë dëshmi, atëherë edhe zyrtarëve të tjerë publikë apo qytetarëve të zakonshëm do tu krijohen mjaftueshëm alibi për ta legjitimuar këtë praktikë”.

“Në një demokraci të mirëfilltë ku zbatohet parimi i balanceve dhe kontrolleve midis pushteteve, udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të japin shembullin më të mirë në respektimin e ligjit. Roli i Kryeministrit nuk është të vërë në pikëpyetje apo të negociojë zbatimin e procedurave ligjore, por të tregojë se askush – as vetë ai – nuk është mbi ligjin. Duke refuzuar të paraqitet në Prokurori sipas kërkesës zyrtare, Kryeministri bie ndesh me pritshmëritë e qytetarëve për llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër tani që procesi zgjedhor, në aspekt të votimit, veçse ka përfunduar, dhënia e dëshmisë nga ana e Kryeministrit nuk prodhon asnjë efekt elektoral kundrejt tij apo subjektit që ai përfaqëson”.

Lidhur me këtë, KDI i ka bërë thirrje Kurtit që në respektim të parimit të sundimit ligjit dhe të bashkëpunimit me organet e drejtësisë, të paraqitet pa kushte në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e kërkuar.

“Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, ai mund të forcojë besimin e publikut tek institucionet shtetërore dhe të dëshmojë se, në një shtet ligjor të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin” thuhet tutje në kërkesën e KDI-së.