Katy Perry pohoi se është ndjerë e lënduar nga reagimet e shumta pas udhëtimit të saj në hapësirë

Këngëtarja amerikane Katy Perry ka pranuar se është ndjerë “e goditur dhe e lënduar” nga reagimet e ashpra që pasuan udhëtimin e saj të fundit në hapësirë, por ka siguruar fansat se është mirë dhe se do të vazhdojë të qëndrojë pozitive.

Dy javë pas udhëtimit me Blue Origin – një fluturim 11-minutësh në hapësirë së bashku me pesë gra të tjera – Perry deklaroi se ndjesia e sulmeve në internet i kishte krijuar përshtypjen se ishte kthyer në një “piñata njerëzore”, një metaforë për mënyrën se si ishte vënë në shënjestër nga kritikat online.

Deklaratat e saj vijnë pasi një grup fansash paguan një billboard në New York për t’i shprehur mbështetje përpara fillimit të turneut të saj botëror. Duke reaguar ndaj një videoje të billboard-it të shpërndarë nga një llogari fansash, Perry tha se ndihej “shumë mirënjohëse” dhe shtoi se ajo dhe fansat janë “bashkë në këtë udhëtim të bukur dhe të çmendur”.

Katy Perry ka qenë një nga figurat më të suksesshme të muzikës pop në dy dekadat e fundit, por në vitin e fundit ka përjetuar një rënie të perceptimit publik. Albumi i saj i fundit u prit me kritika, ndërsa kënga promovuese Woman’s World u shoqërua me një videoklip që u cilësua si i prapambetur nga shumë ndjekës dhe kritikë.

Situata u përkeqësua më tej pas pjesëmarrjes së saj në udhëtimin hapësinor të organizuar nga Jeff Bezos, ku këngëtarja interpretoi What a Wonderful World për pasagjerët dhe paraqiti për kamerën listën e këngëve të turneut të saj.

Shumë komentues e konsideruan veprimin si të pandjeshëm, duke e kritikuar për marrjen pjesë në një udhëtim të shtrenjtë dhe të shkurtër në një kohë kur shumë njerëz po përballen me sfida ekonomike.

Megjithatë, së fundmi këngëtarja Lily Allen kërkoi ndjesë për komentet e saj negative ndaj Perry, duke thënë se, ndonëse nuk pajtohej me udhëtimin, nuk kishte qenë e nevojshme të bashkohej me sulmet kolektive ndaj saj. /Telegrafi/