Katër të ndaluar për një rast rrëmbimi në Veternik, mes tyre edhe një polic

Katër persona, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor janë ndaluar si të dyshuar për përfshirje në një rast rrëmbimi.

Kështu njofton komunikata e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Në njoftimin e IPK-së thuhet se rasti ka ndodhur më 19 shtator 2025 në lagjen Vetërnik.

“Menjëherë pas kësaj është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të cilët në bashkëpunim me hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë kanë arrritur të sigurojnë prezencën e personave të dyshuar. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri dhe një lodër (imitim i armës AK-47). Me vendim të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të katër personave të ndaluar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Si pjesë e procedurave administrative IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin për zyrtarin policor.

“Hetuesit policor dhe ata të IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore, po vazhdojnë veprimet e mëtejme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.Numri i përgjithshëm i personave të arrestuar lidhur me këtë rast arrin në tetë”.