Katër të arrestuar për vepra që lidhen me terrorizëm – detaje nga operacioni në Kaçanik

Policia e Kosovës ka ndërmarrë sërish një aksion në Kaçanik, i cili lidhet me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika.

Gazeta Insajderi ka mësuar se deri tani janë arrestuar katër persona, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me terrorizëm.

Burime të sigurta bëjnë të ditur se ndaj të dyshuarve po zhvillohen hetime për vepra si: “Rekrutim për qëllime terroriste”, “Pjesëmarrje në grupe terroriste”, si dhe “Vrasje e rëndë” në lidhje me vrasjen e rreshterit Lika.

Gazeta Insajderi merr vesh që këtë operacion në Kaçanik nuk është duke e bërë Prokuroria Themelore në Ferizaj, por Prokuroria Speciale.

Në terren, nën udhëheqjen e një prokurori special janë edhe pjesëtarë të njësitit të anti-terrorizmit të Policisë së Kosovës.

Aksionin e ka konfirmuar për Insajderin  edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Kelani nuk dha detaje më të hollësishme rreth aksionit.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, i cili po realizohet në komunën e Kaçanikut. Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, tha ai.

Ngjarja tronditëse, e cila ndodhi më 1 prill 2025, ka shkaktuar një reagim të gjerë nga opinioni publik, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë nga organet kompetente.

Deri tani, janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, duke përfshirë edhe dyshimet për planifikimin dhe ekzekutimin e aktit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar paraburgim prej një muaji për gjashtë nga të arrestuarit, ndërkohë që hetimet po zhvillohen me intensitet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gazeta Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…