Podujeva pas shërimit të nëntë qytetarëve me koronavirus, ka shënuar edhe katër raste të reja të të infektuarve me COVID-19.
Njëri nga ta është gjinekologu i infektuar kurse tre të tjerë janë raste kontakti të doktorit.Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, në një bisedë telefonike për Ekonomia Online ka treguar se gjendja e të infektuarve me koronavirus është e mirë dhe po qëndrojnë në vetizolim.
“Rastet e infektuara janë katër njëri është gjinekologu, dy janë familjarë të tij dhe 1 është infermiere por që ka vizituar klinikën private të doktorit”, tha Rudari.Rudari ka thënë se gjinekologu dhe dy familjarët e tij jetojnë në Prishtinë kurse infermierja në Podujevë, raporton EO.
“Gjinekologu dhe dy familjarët e tij jetojnë në Prishtinë janë atje, kurse infermierja është në Podujevë në vetizolim dhe gjendja e të gjithë këtyre është e mirë”, tha Rudari.
Deri më tani në vendin tonë janë 598 raste pozitive me koronavirus, 123 të shëruar dhe 16 të vdekur.