Katër policë lëndohen gjatë arrestimit të një 45-vjeçari në Suharekë

Katër policë janë lënduar gjatë intervenimit në arrestimin e një 45-vjeçari në Samadraxhë të Suharekës.

Policia njofton se mëngjesin e së mërkurës kanë pranuar një ankesë nga një qytetar se i dyshuari B.K., 45 vjeçar nga Samadraxha e Suharekës, kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” në fshatin Samadrexhë, duke vendosur shufra metalike të ngulitura në tokë dhe të lidhura me tel, duke penguar qarkullimin e lirë të banorëve.

Menjëherë pas raportimit, patrullat policore kanë reaguar dhe kanë arritur në vendin e ngjarjes.

Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët policorë me thikë.

Policia ka reaguar me veprime të menjëhershme, duke neutralizuar sulmin dhe duke arritur ta arrestojë të dyshuarin.

Gjatë procesit të arrestimit, si pasojë e kundërshtimit të dhunshëm nga ana e të dyshuarit, katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, por jo nga thika.

I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në Stacionin Policor në Suharekë, ku në konsultim me Prokurorin e Shtetit do të ndërmerren veprimet e tjera procedurale, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.