Qeveria e Kosovës për gati tri vite, në mënyrë të paprecedent, e ka mbrojtur vendimin e saj të paligjshme për emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës. Ky i fundit, që është arrestuar dje, ka kontestuar vendimet e të gjitha gjykatave të Republikës së Kosovës. Ndonëse katër instanca gjyqësore kishin konstatuar se ai kishte marrë këtë pozitë në kundërshtim me ligjet në fuqi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vazhdonte ta mbante atë në detyrë.
Konstatimet e KPMShCK-së, Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme, që tregonin se Nikç pozitën po e mbante në mënyrë të kundërligjshme, për Qeverinë Kurti nuk kishin asnjë vlerë.
Madje, në fund të vitit të kaluar, Nikçi kishte refuzuar të lëshonte edhe zyrën e tij. Gazeta Nacionale ka siguruar një vendim të nënshkruar nga zv/kryeinspektori Agim Millaku, ku Nikçit i kërkohej që ta dorëzojë vulën dhe të gjitha mjetet e punës, por i njëjti kishte refuzuar ta bënte një gjë të tillë.
Gazeta Nacionale ka dërguar disa herë pyetje në Ministri të Financave për të kërkuar sqarime se pse nuk janë zbatuar vendimet e gjykatave, por kjo ministri nuk ka dhënë sqarime.
Kjo kryeneçësi e Qeverisë duket se ka marrë fund dje, kur Hekuran Nikçit është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë me dije se Hekuran Niçki dyshohet për 3 vepra penale.
“Me Urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, janë ndalur për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se, i dyshuari Hekuran Nikçi i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës nga neni 218 të KPRK-së dhe Përdorimi i paautorizuar të pasurisë nga neni 420 të KPRK-së, ndërsa i dyshuari Naim Shalaku, për shkak të dyshimit të bazuar se i ka kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës në vazhdimësi nga neni 218 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë.
Historiku i çështjes
Në fund të vitit të kaluar, gazeta Nacionale ka publikuar aktvendimin e Gjykatës Supreme, i cili tregon se gjykata në fjalë nuk e ka pranuar ankesën e ministrisë së Hekuran Muratit për të kontestuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit që kishte vërtetuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil se emërimi i Kryeinspektorit të Punës ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Në aktvendimin e Gjykatës Supreme thuhet se kërkesa e Ministrisë së Financave është e pas afatshme.
“Hedhet e pas afatshme kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshme të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga paditësi, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelti – Departamentit për Çështje Administrative, AA nr. 354\2023, të datës 08.07.2024”, thuhet në aktvendimin e Supremes, i cili është nxjerr më 26 shtator.
Paraprakisht, gazeta Nacionale kishte publikuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili kishte rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me të cilën kontestonte vendimin e Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) për emërimin e Kryeinspektorit të Punës.
Në këtë mënyrë, kjo gjykatë kishte konfirmuar përfundimisht vendimin e KPMShCK-së se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ka qenë i kundërligjshëm.
Në aktgjykimin e Apelit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, refuzohej si e pa bazuar ankesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
Aktgjykimi në fjalë tregon se mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e vlerësonte si të drejtë vendimin e KPMShCK-së.
“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1892\2022, të datës 14.04.2023, është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50\2022”, është thënë në vendimin e Gjykatës se Apelit.
Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfervem nuk ishte pajtuar asnjëherë me vendimin e KPMShCK-së, i cili kishte konstatuar se emërimi i Hekuran Nikçit nuk ishte bërë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Vendimin në fjalë, ministria e Hekuran Muratit e kishte sfiduar edhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Më 27 prill të vitit 2022, kjo gjykatë kishte vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadia e Ministrisë së Financave, ku kërkohej të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.
“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, ishte thënë në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, të cilin e kishte publikuar gazeta Nacionale.
Më 25 maj të vitit 2022, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.
Pas një Monitorimi të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar se emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik.
Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë nuk ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.